75 Mall Live Search
20:22 / E Hënë, 14 Mars 2022 / LB

Përforcimi i EULEX-it me 92 pjesëtar të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë, flet ish drejtori i Policisë

EULEX ka njoftuar sot se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë (EUROGENDFOR) nga Portugalia, Franca dhe Italia do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS).

Këtë përforcim të EULEX-it po e vlerëson si pozitive ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Deputeti i PDK-së në një prononcim për Indeksonline ka thënë se kapacitetet aktuale të EULEX-it janë të kufizuara.

Megjithatë ai thotë se Policia e Kosovës është përgjegjësi i parë në rast të situatave të ndryshme që mund të krijohen në vend.

“Besoj që për shkak të angazhimeve të tyre ata kanë pas nevoje që të përforcohen me këtë kontingjent. Mirëpo, mos të harrojmë se Policia e Kosovës është përgjegjësi i parë, përgjegjësi i dytë është EULEX-i në reagime të ndryshme nëse vije situate dhe pastaj është KFOR-i”, ka thënë Qalaj.

I pyetur nëse ky është sinjal për ndonjë zhvillim, ai ka thënë se nuk konsideron se mund të ketë ndonjë gjë të tillë, mirëpo EULEX, sipas tij, ka vendosur t’i rrisë kapacitetet për ndonjë incident të mundshëm ndër etnik.

Qalaj nuk e përjashton si opsion nëse ky përforcim i EULEX-it ka të bëjë edhe më ndonjë aksion të mundshëm të Gjykatës Speciale në Kosovë.

“Ka mundësi nuk e përjashtoj, mirëpo janë çështje që i dinë EULEX-i, por prap po them që Policia e Kosovës është shtylla kryesore që mund të merret me çdo situatë që paraqitet”, ka shtuar ai.

Ndryshe, kryeministri Kurti bisedon me shefin e EULEX-it për vendosjen në Kosovë të 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë (EUROGENDFOR)./Indeksonline/