75 Mall Live Search
15:39 / E Enjte, 02 Tetor 2025 / KV

Përfshihet në aksident autoambulanca e Spitalit të Pejës, lëndohen mjeku dhe stafi shëndetësor

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 11:40 në rrugën Pejë-Prishtinë, afër Komoranit, ku janë përfshirë pesë automjete, përfshirë edhe një autoambulancë të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

Sipas komunikatës së spitalit, aksidenti ndodhi gjatë transferimit të një pacienti për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Autoambulanca, në të cilën ndodheshin pacienti, mjeku, infermieria dhe shoferi, u godit nga prapa nga një veturë ku gjendeshin familjarë të pacientit.

Si pasojë e përplasjes: Mjeku ka pësuar frakturë në dorë, infermieria dhe shoferi kanë marrë lëndime më të lehta ndërsa pacienti fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.

Pacienti është transferuar me sukses për në QKUK nga një ekip tjetër mjekësor, pas intervenimit të shpejtë të spitalit.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë u uron shërim të shpejtë Mjekut tonë dhe gjithë të lënduarve në këtë aksident dhe shpreh mirënjohje për përkushtimin e personelit tonë shëndetësor, të cilët edhe në situata të tilla vazhdojnë të shërbejnë pacientëve me përgjegjësi dhe profesionalizëm,” thuhet në komunikatën e spitalit.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht gjatë periudhave me reshje atmosferike kur kushtet në rrugë vështirësohen./IndeksOnline/