Përfshihet nga flakët një veturë në Zveçan, policia jep detaje: Dyshohet për një defekt elektrik

Një veturë është përfshirë nga zjarri gjatë natës, në Komunën e Zveçanit. Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Mitrovicë – Veri, informon opinionin publik se më 22.08.2028 rreth orës 01:00 në Zveçan është raportuar për djegien e një veture.
Në njoftim thuhet se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Po ashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekspertët e zjarrit.
“Sipas dëshmive dhe të dhënave fillestare, dyshohet se vetura është përfshirë nga zjarri si pasojë e instalimit elektrik. Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të shkaqeve”, thuhet në njoftimin e policës.
Indeksonline mëson se vetura, e cila është përfshirë nga flakët është e kandidatit për kryetar të Komunës së Zveçanit./Indeksonline/