18:09 / E Mërkurë, 01 Maj 2024 / S Z

Përfundon dëshmia e dëshmitarit të 60-të, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis më 6 maj

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka mbaruar dëshminë dëshmitari i 60-të në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

Dëshmia e këtij dëshmitari e cila u dëgjua në seancë të mbyllur për publikun, mbaroi brenda sesionit të paradites.

Si rrjedhojë, për arsyeje se nuk kishte dëshmitar tjetër gati, pjesa tjetër e seancës nuk u mbajt.

Sipas trupit gjykues, Charles Smith III, seanca e paraparë për nesër do të anulohet dhe gjykimi do të rinis javës tjetër, përkatësisht të hënën më 6 maj 2024 duke filluar nga ora 09:00 me 45 minuta vonesë në transmetim.

Mbrojtja kërkon që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Eric Tully sot (1 maj) në emër edhe të ekipeve të tjera mbrojtëse kërkoi që njëra nga dëshmitë që pritet të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Tully ka deklaruar se parashtrimi i tyre lidhet me një album fotografish që dëshmitari është pyetur gjerë e gjatë ndërsa, mbrojtja nuk i ka në dispozicion. Avokati tha se ZPS-ja iu kishte thënë që as ata nuk i kanë në zotërim këto fotografi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo ka të bëjë lidhur me kërkesën e përdorimit të rregullës 154 për të ndjekur përmes videolidhjes dëshmitarin e javës së ardhshme. Ekipet e mbrojtjes nuk e kundërshtojnë këtë kërkesë për vidolidhje, por kemi një koment lidhur me një prej dokumenteve që do të përdorën. Bëhet fjale për materialin 021672021673 i redaktuar, lidhet me dëshminë në një procedurë hetimore. Janë faqe që gjenden në materialin… ku dëshmitari është pyetur gjerë e gjatë lidhur me një album fotografish. Desha të thoja që neve nuk na e kanë dhënë albumin me fotografi dhe prokuroria thotë që as ata nuk e kanë në zotërim këtë album të fotografive. Kështu që ne mendojmë që kjo dëshmi nuk duhet të ketë vlerë provues. Ndryshe, nuk do e kundërshtojmë pjesën për videolidhje”, ka thënë Tully.

Lidhur me këtë parashtrim të ekipeve mbrojtëse, nuk patën asgjë për të thënë përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ndërsa, seanca vazhdoi e mbyllur për publikun për t’u dëgjuar dëshmitari.