75 Mall Live Search
09:24 / E Mërkurë, 12 Qershor 2024 / G T

Përfundon me spektakël FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier, në Prishtinë

FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier në Prishtinë ka përfunduar me një spektakël të vërtetë. Kjo garë e basketbollit 3×3, e cila u mbajt më 8 dhe 9 qershor, shënoi herën e parë që një ngjarje e tillë organizohet në vendin tonë.

Përgjatë dy ditëve, të shtunën dhe të dielën, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë u elektrizua me një super atmosferë dhe me qytetarët që kishin ardhur të përjetojnë nga afër adrenalinën që basketbolli 3×3 e ofron.

Në këtë garë morën pjesë 16 ekipe kombëtare në të dyja konkurrencat, ku në fund Azerbajxhani triumfoi në të dyja, duke u kualifikuar kështu për FIBA 3×3 Europe Cup që do të mbahet në muajin gusht në Vjenë të Austrisë.

Edhe Kosova mori pjesë në të dyja konkurrencat. Ekipi i femrave të Kosovës me Aulonën, Asterën, Enisën dhe Agnesën prezantuan një lojë fer e të bukur duke dhuruar emocione e spektakël për publikun. Megjithatë, ekipi i femrave humbi ndaj Andorrës, Qipros dhe Irlandës, ndërsa ekipi i meshkujve, Dardanët, fituan kundër Armenisë me rezultatin 21:12, por pësuan humbje nga Azerbajxhani, Qipro dhe Shqipëria.

Edicioni i nëntë i FIBA 3×3 Europe Cup do të mbahet në Vjenë më 22-25 gusht, duke mirëpritur 12 shtete në secilën kategori, gjithsej 24 ekipe.

Gara ndërkombëtare e radhës që do të mbahet në Prishtinë është FIBA Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat 2024 me datat 25-30 qershor 2024 në Pallatin e Rinisë dhe Kulturës.