Përfundon me sukses edicioni i parë i Ligës së Shkollave

Sonte është përmbyllur edicioni i parë i Ligës së Shkollave në kryeqytet me zhvillimin e ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale, duke kurorëzuar kështu një rrugëtim të jashtëzakonshëm të këtij projekti.
Ky projekt i përbashkët i FFK-së dhe Komunës së Prishtinës është implementuar nga Prishtina Tournament, teksa ka hapur një faqe të re për sportin shkollor në Kosovë.
Ky aktivitet ka shënuar një hap të madh drejt zhvillimit të futbollit bazë, duke i dhënë hapësirë dhe mundësi të rinjve për të treguar talentin e tyre.
Në këtë edicion debutues janë zhvilluar gjithsej 134 ndeshje, të ndara fillimisht në 12 grupe, e më pas në fazat të play-off-it. Ndeshjet janë luajtur në 12 terrene të ndryshme të shkollave, në ambiente të brendshme, ashtu edhe në fusha të hapura, duke përfshirë edhe zonat rurale.
Pjesë e garës kanë qenë 32 shkolla fillore dhe 12 shkolla të mesme, të cilat sollën konkurrencë të fortë, atmosferë festive dhe pasion të madh për futbollin. Në kë edicion të Ligës së Shkollave gjithsej janë shënuar 816 gola, duke e bërë këtë ligë një festival të vërtetë sporti.
Në finalen e parë u ballafaquan SHFMU “Naim Frashëri” dhe SHFMU “Ismail Qemajli”, ku pas një ndeshje mjaft interesante fitores iu gëzua SHFMU “Ismail Qemajli”, me rezultat 4:2, duke u shpallur kampion.
Në finalen e dytë u ballafaquan SHML “Eqrem Çabej” dhe SHML “Medreseja Alauddin”, ndeshje e cila përfundoi me rezultat 2:2, derisa pas penalltive 4:3 në të mirë të SHML “Eqrem Çabej”.
Nga afër këto ndeshje i ndjeku edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili në fund ndau edhe trofetë për ekipet kampione.
Një nga arritjet më të veçanta të kësaj lige është fakti që falë saj, 5 golashënuesit më të mirë janë shpërblyer me mundësinë e artë për të shkuar në prova te kampi i AC Milan, një prej akademive më prestigjioze në botë.
Projekti Liga e shkollave do të bëhet një traditë që do të rritet vit pas viti, duke nxitur gjenerata të reja të futbollistëve dhe duke forcuar lidhjen mes arsimit dhe sportit.