Xhaka vs Rashica, përfundon pa fitues ndeshja bamirëse e yjeve
Ka përfunduar përballja bamirëse në mes të skuadrës së Granit Xhakës dhe asaj të Milot Rashicës, e quajtur ndryshe edhe si ‘Loja e Yjeve’.
Përballja në mes të këtyre dy skuadrave solli në stadiumin “Fadil Vokrri”, lojtar që janë aktiv në futbollin profesionist, ata që janë pensionuar, basketbollistë, por edhe këngëtarë nga skena jonë vendore.
Ishte futbollisti Ermir Lenjani (nga skuadra e Milot Rashicës) ai i cili realizoi golin e parë të kësaj ndeshje në minutën e 5-të.

Vetëm tre minuta pas golit të parë, Muharrem Sahiti arriti ta barazoi rezultatin në 1 me 1.
Pastaj Dardan Berisha arriti t’ia japë epërsinë skuadrës së Xhakës në minutën e 36-të.

Pesë minuta pasi filloi pjesa e dytë e këtij takimi, skuadra e Rashicës arriti ta barazoi rezultatin nëpërmjet Shefki Kuqit i cili festoi duke bërë gjestin e superman-it si në kohët e vjetra.

Pastaj golin e epërsisë e realizoi vet Milot Rashica në minutën e 47-të, duke përmbysur rezultatin në 3-2.

Mirëpo në minutën e 55-të Granit Xhaka e barazoi rezultatin sërish, duke shënuar një gol brenda zonës së rrezikshme dhe duke e bërë edhe më interesante lojën.

Vetëm dy minuta pas golit të kapitenit, Armend Thaqi arriti të kthejë rezultatin në 4-3 në favor të Xhakës duke tundur rrjetën e skuadrës kundërshtare.
Pastaj Ermir Lenjani arriti ta realizoi golin e dytë të tij në këtë ndeshje duke barazuar rezultatin në minutën e 75-të.
Në pritje për gjuajtjen e penalltive, shumë tifozë hynë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë për t’i takuar yjet që luajtën në këtë ndeshje, veçanërisht Xhakën dhe Rashicën. Rojet e sigurimit tentuan t’i largojnë ata nga fusha.

Përkundër që u prit disa minuta që situata të qetësohej në fushë, rojet e sigurimit nuk arritën t’i largojnë tifozët nga fusha dhe ndeshja u mbyll pa gjuajtjen e penalltive, me barazim 4:4.

Kujtojmë se Loja e Yjeve është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Artmotion me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës nga forcat serbe.

Të gjitha të hollat e grumbulluara nga shtija e biletave për këtë ndeshje, do t’u dhurohen fëmijëve me nevoja të veçanta.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se ky aktivitet do të organizohet edhe gjatë viteve të tjera, në mënyrë që t’u mundësohet edhe të tjerëve të jenë pjesë e këtij aktiviteti humanitar.
