Përfundon protesta e Vetëvendosjes në Tiranë
Lëvizje Vetëvendosje ka përfunduar protestën e thirrur në shenjë pakënaqësie ndaj vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe atij të Republikës Serbe Millorad Dodik në Tiranë.
Protesta nuk u lejua nga policia shqiptare që të vazhdojë sipas planit dhe protestuesit disa herë tentuan pa sukses të thyejnë kordonin policor.
Ajo u mbajt vetëm pranë bustit të vëllezërve Frashri, ku u mblodhën, pasi policia nuk lejoi protestuesit të ecin siç ishte e paraparë.
Boiken Abazi më herët gjatë protestës, e cila përfundoi e qetë, përkujtoi se Vuçiq dhe Dodik janë politikanë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai shtoi se është hera e parë që Millorad Dodik vjen në Tiranë, dhe se i njëjti është politikan non-grata në SHBA.
“Vuçiq dhe Dodik kanë një të kaluar dhe tashmë kriminale në Ballkan, dhe specifikisht Vuçiq edhe në Kosove e dini pozicionin që ka mbajtur në Qeverinë e Millosheviq si ministër i Informacionit, e dini që para pak kohësh e quajti Millosheviqin udhëheqës të madh ndërkohë ishte duke përgatitur për të bërë bashkë me bashkëpunëtorët që gjeti mes politikanëve shqiptarë, ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, që e quajnë shkëmbim territoresh apo korrigjim kufijsh”, tha ai.
Ndryshe, në Tiranë sot dhe nesër mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në procesin e Brdo Brionit./Indeksonline/