Përfundon seanca ndaj Azem Kurtajt, pas pak verdikti i Gjykatës

Sot është mbajtur seanca dëgjimore ndaj Azem Kurtajt, për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë, ditën e 6 janarit.
Pas seancës dëgjimore që u mbajt në Gjykatën Themelore në Ferizaj, avokati i Kurtajt, tha se ai ishte sulmuar me mjete dhe ishte ofenduar pak sekonda para se të ndodhte incidenti.
Avokati Naim Ferati tha se Kurtaj kishte shtënë me armë personale dhe jo me atë zyrtare të cilën e bart për shkak të detyrës së tij si pjesëtar i FSK-së.
Avokati gjithashtu shtoi se Kurtaj kishte shtënë me armë në drejtim të asfaltit dhe jo në drejtim të turmës që e ka kanosur, raporton Indeksonline.
“Të premtën i mbrojturi im, derisa po udhëtonte me një shok të tij për të drekuar në Brezovicë, të njëjtit gjatë rrugës ishin ndaluar nga një turmë e qytetarëve të cilët po festonin në rrugë dhe të cilët e kishin bllokuar veturën e të mbrojturit tim, dhe në mënyrë të befasishme e kishin sulmuar me mjete të forta konkretisht me drunj.
I gjendur në këto rrethana dhe duke u ndjerë i rrezikuar nga sulmi serioz i turmës së njerëzve, i njëjti me qëllim që të largohet nga aty dhe të zmbrapsë sulmin serioz ndaj tij, kishte nxjerrë revolën dhe duke e mbajtur në pozicion të ulët dhe duke mos e drejtuar asnjëherë në drejtim të njerëzve, kishte shkrepur fillimisht një herë në tokë dhe më pastaj edhe një herë në ajër, me qëllim që të zmbrapsë sulmin ndaj tij dhe të largohet nga aty ku ishte bllokuar nga turma.
Nga ky moment, i njëjti kishte arritur të largohet nga aty dhe kishte shkuar në Prevallë pa e kuptuar se nga ngjarja në të cilën ishte ndodhur mund të kishte të lënduar” tha avokati, gjatë seancës dëgjimore.
