75 Mall Live Search
11:44 / E Enjte, 13 Nëntor 2025 / SH

Përfundon seanca ndaj të dyshuarve për spiunazh, mbetet mister shëndeti i Bedri Shabanit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt sot seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh.

Seanca u ndërpre një herë, me kërkesë të trupit gjykues, që priti raportin mjekësor nga Shërbimi Korrektues, rreth gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Shabani.

Bedriu, në fillim të seancës, kërkoi që të mos deklarohet sot për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Shabani kërkoi nga trupi gjykues që në aspektin human të shtyhet seanca, pasi po ndjehet i mpirë nga terapia mjekësore.

Ndërkaq, avokati i tij, Besnik Berisha, kërkoi që, për shkak të natyrës së problemit shëndetësor të Shabanit dhe konfidencialitetit, seanca të vazhdojë pa praninë e mediave.

Pas miratimit të kërkesës së Berishës, seanca vijoi pas dyerve të mbyllura, ku u deklarua mbi shëndetin e Shabanit.

Pas përfundimit të deklarimit, gjyqtari e mbylli seancën e sotme, për ta vazhduar më 20 nëntor.

Shabani dhe Qerimi dyshohet të kenë mbledhur dhe dërguar informacione në adresën e BIA-s serbe, lidhur me UÇK-në, Policinë e Kosovës, AKI-në dhe IPK-në. Bazuar në faktet dhe dëshmitë e grumbulluara, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tyre, në shkurt të këtij viti./IndeksOnline/