22:58 / E Mërkurë, 23 Qershor 2021 / OSH

Përfundon takimi në Élysée, çka diskutuan Kurti e Macron

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar sot takimin e parë në Pallatin Presidencial Elysee.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate adresuar mediave ka konfirmuar se takimi bilateral në mes të Kurtit dhe Macronit ka përfunduar.

Në komunikatë thuhet se gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane, si dhe sfidën e përbashkët në ballafaqimin me pandeminë COVID-19.

“Gjatë takimit u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane, si dhe sfidën e përbashkët në ballafaqimin me pandeminë COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ka thënë se në takim u diskutua për dialogun Kosovë-Serbi, edhe pse në komunikatë nuk përmendet diçka e tillë.

“Kemi pasur një takim shumë miqësor, më shumë se një orë me presidentin Macron, një takim shumë të sinqertë. Kemi diskutuar për mundësinë që Kosova të furnizohet me vaksina anti-COVID, për më shumë investime nga Franca në Kosovë, për arsimin, liberalizimin e vizave si prioritet i Qeverisë Kurti, dialogun me Serbinë dhe rrugën më të lehtë për në Bashkimin Evropian”, ka bërë të ditur Rexhepi për Telegraf.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:

Me nderime të larta shtetërore, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee, në Paris.

Para takimit të dy liderët kanë dhënë nga një deklaratë për media. Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Francës, për drejtësinë e lartë që vendosi në kuadrin e Aleancës Veriatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët.

Ai tha se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejtë. Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.

Presidenti Macron konfirmoi mbështetjen e Francës për shtetin e së drejtës, sigurinë dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjatë takimit u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane, si dhe sfidën e përbashkët në ballafaqimin me pandeminë COVID-19