75 Mall Live Search
23:00 / E Shtunë, 06 Shkurt 2021 / OSH

Përfundon zgjerimi i rrugës në Vushtrri por s’hapet për qarkullim

Segmenti i rrugës në hyrje të qytetit në Vushtrri deri në dalje është zgjeruar duke u bërë me nga dy korsi në dy drejtimet,shkruan IndeksOnline.

Megjithatë, ndonëse ka përfunduar ky segment i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë ende nuk u lëshua për qarkullim.

Në disa fotografi vërehen se në dy pjesët e rrugës janë të vendosura ca bllokada për lëvizjen e veturave, atë mund ta shfrytëzojnë vetëm veturat të cilat nuk kanë rrugëdalje tjetër për t’u kyçur për tek operatorët ekonomikë.

Si pasojë e kësaj po ndodhin edhe aksidente trafiku në këtë pjesë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se presin që Ministria e Infrastrukturës të përfundoj procedurat e pranimit teknik dhe të bëhet hapja e rrugës.

Tahiri vlerësoi se kjo vonesë është e paarsyeshme.

“Zgjerimi i rrugës në qytet është projekt i yni i përbashkët me Ministrinë që e transformon Vushtrrinë.

Po presim që shumë shpejtë Ministria me i përfundu procedurat e pranimit teknik dhe hapjen e rrugës.

Janë vonesa të pa arsyeshme për ne si Komunë dhe kanë shkaktuar jo pak telashe për qytetarët dhe Komunën”, tha ai.

IndeksOnline ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë një përgjigje por nuk kanë qenë të qasshëm./IndeksOnline/