20:01 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Përgjegjësit e Drejtësisë i përgjigjen Haradinajt, pas ultimatumit rreth vizave!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme u ka dhënë ultimatum prej tre muajsh organeve të drejtësisë në mënyrë që t’i përfundojnë lëndët të cilat janë në shënjestër të liberalizimit të vizave. Sipas të parit të ekzekutivit, rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të cilat kërkohet nga BE-ja të luftohen si kriter kyç për heqjen e vizave.

Mirëpo, lidhur me këtë çështje, organet e hetuesisë besojnë se kanë arritur progres në punën e tyre. Në një prononcim për Indeksonline, Zëvendës Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë se kanë pranuar mesazhin e Haradinajt sa i përket ultimatumit që ai ua ka dhënë, sipas Berishës, të njëjtit kërkojnë punë më tepër, por megjithatë, ai thotë se janë të pavarur.

Sipas tij, Themelorja tani ka arritur të formojë edhe njësit të veçantë për zbatimin e lëndëve që ndërlidhen me shënjestrimin e liberalizimit të vizave.

“Ne i kemi lëndët të cilat janë me prioritet  nëpër Gjykata dhe janë të caktuar apo të shënjestruar se cilat janë për liberalizim  dhe të njëjtat janë në procedurë e sipër, sa i përket kësaj çështje ne ju kemi dhënë përparësi me çdo takimi të rëndësishëm, po ashtu është formuar një njësit i veçantë vetëm për këto lëndë dhe besojë se çdo prokuror ka mi pas 4-5 lëndë jo më shumë.  Sa i përket stafit të prokurorëve për krejt numrin nuk e dimë statistikat, por për ata profesional duhet me qenë edhe së paku 10 prokurorë”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Në anën tjetër, Indeksonline ka kontaktuar edhe avokatin kosovar, Tomë Gashi i cili ka folur rreth rrethanave juridike të kësaj çështje. Ai thotë se Haradinaj me këtë ultimatum ka dërguar një sinjal te gjyqtarët dhe prokurorët, pasi sipas tij, me ngritjen e pagave, shefi i Qeverisë iu ka krijuar edhe kushte më të mira  të njëjtëve.

Gashi tregon mënyrën më të mirë që sipas tij, do të rezultonte me kryerjen e lëndëve nëpër Gjykatat e vendit tonë.

“Kryeministri Haradinaj ka dashur që të çojë një sinjal te gjyqtarët dhe prokurorët  posaçërisht te Gjykatat e Kosovës  që ai edhe me ngritjen e pagave iu ka krijuar kushte të mira gjyqtareve që të jenë efikas, unë besojë se pagat nuk luajnë një rol të veçantë, por kushtet për eliminimin e numrit të madh të lëndëve në Gjykata duhet të bëhen me emërimin e numrit më të madh të gjyqtarëve  dhe posaçërisht me emërimin e numrit më të madh të Bashkëpunëtoreve profesional që secili gjyqtarë duhet t’i ketë disa prej tyre, gjithkund në botë vendimet nxirren prej gjyqtareve por pjesën teknike dhe pjesën e interpretimeve juridike i bëjnë bashkëpunëtorët e gjyqtareve kështu do të duhej të ishte edhe në Kosovë për t’a reduktuar numrin e tejet të zmadhuar të lëndëve”, është shprehur Gashi për “Indeksonline”.

Më tutje, avokati kosovar ka shtuar se sistemi juridik i Kosovës respektivisht Gjykatës dhe Prokurorisë ka mundësi që të lirohen nga një numër i madh i stërngarkuar i lëndëve duke përdorur sistemin e filtrimit.

“Nuk është normale që Prokuroria të pranojë çdo rast  që i dërgohet nga Policia dhe atëherë faktikisht Policisë i hiqet barra e dërgimit të provave shtesë për një lëndë nëse Prokuroria e pranon atë dhe provat të tjera mund të dërgohen vetëm me kërkesën e prokurorit, po ashtu nuk është normale që Gjykatat t’i pranojnë çdo akuzë që e dërgon Prokuroria që i bije të mos e regjistrojë fare gjatë seancave fillestare, Gjykata e shkallës së parë nuk do të duhet që të vërtetonte akuzat për çfarëdo lloj vendime të nxjerrë me pretekstin që Gjykata e Apelit  që është më e lartë ndoshta të përvetësoi ndonjë padrejtësi eventuale kjo lojë vazhdon deri në Gjykatën Supreme të Kosovës. Kjo është njëra prej arsyeve kryesore se pse ne kemi numër të madh të lëndëve të pazgjidhura nëpër Gjykatat tona. Nëse secili institucion e filtron punën e institucionit të mëhershëm unë besoj se lëndët minimum do të përgjysmoheshin  apo do të mbeteshin një numër jashtëzakonisht të vogël në raport me numrin që thuajse kemi deri në 400 mijë lëndë të pazgjidhura në Gjykatat e Kosovës, përfundon Gashi.

Ndryshe,  Haradinaj sot tha se ekzekutivi është i angazhuar në vazhdimësi që të krijojë kushte më  të mira pune për gjyqtarët e vendit, të rrisë numrin e tyre, pagat dhe buxhetin operues. Sipas Haradinajt, tani është momenti që të dilet me rezultate pozitive sa i përket zgjidhjes së lëndëve që janë grumbulluar prej vitesh.

“Zgjidhja e këtyre rasteve, jo vetëm që shënon rezultat pozitiv në rrugën tonë drejt integrimit euro-atlantik, por është e arritur e madhe edhe për fuqizimin e shtetit, për fuqizimin e familjes dhe institucioneve. Nuk mund të mbesim peng i kohës. Duhet të instalojmë një dinamikë të re pune, disiplinë”, kishte thënë kryeministri Haradinaj./Indeksonline/

Haradinaj ultimatum organeve të drejtësisë: Kryeni lëndët e shënjestruara për vizat