Përgjime: Nënkryetari i Gjilanit nga LDK-ja i laritej Qemajl Mustafës së PDK-së për një vend pune!

Një përgjim ndërmjet kryetarit të atëhershëm të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe nënkryetarit të tashëm, Arbër Ismajli, nxjerr në pah servilizmin e këtij të fundit ndaj pushtetit.
Indeksonline ka siguruar bisedat ndërmjet tyre, ku Ismajli i lutet Mustafës që ta marrë në kabinetin e tij, në rast se i fiton zgjedhjet lokale.
Ismajli, i cili njihet si aktivist i hershëm në strukturat e LDK-së dhe nënkryetar i FR të LDK-së në vitet 2000-2004, i përgjërohej Qemajl Mustafës së PDK-së për një vend pune.
“Mos harro me ma caktu një vend afër teje. Jam i nderuar me punu afër teje nëse ke nevojë. Rruga e mbarë”, i thotë ai.
Ndërsa, Mustafa i premton se do ta ketë afër vetes. “Do ta bëj një ekip për këshilldhënie dhe besoj krejt ka me qenë mirë”.
“Nga nesër unë e konsideroj veten pjesë e kabinetit Mustafa. Nëse ty nuk të pengon. Te fala!”, i drejtohet Ismajli, i cili merr përgjigje pozitive nga Mustafa. “Hiq mos ta nin’ shok. Kalo bukur!”.
Ndryshe, nënkryetari aktual i Gjilanit, Arbër Ismajli, në këtë periudhë (sipas biografisë së tij) ishte anëtar i Kryesisë së LDK-së, Dega Gjilan (2010-2015).
Ai ka ushtruar edhe detyrën e shefit të kabinetit në Zyrën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri (janar 2014 – prill 2018).
Ndërsa, më 30 prill 2018, Arbër Ismajli është emëruar nënkryetar i Komunës së Gjilanit në qeverisjen e Lutfi Hazirit. /Indeksonline/

