75 Mall Live Search
09:08 / E Premte, 06 Mars 2020 / indeksADMonline

Përhapja e coronavirusit: A mund të mbetet Liverpooli pa titullin e Premierligës?

Përhapja e coronavirusit ka pasur ndikim të madh  edhe në botën e futbollit, veçanërisht pasi që përqindja e vdekshmërisë nga ky virus i ngre në 3.4 për qind në fillim të këtij muaji.

Tashmë ky virus është përhapur nga Kina në më shumë se 80 vende bote, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australinë dhe pjesë të Evropës.

Shumë ngjarje sportive janë anuluar, janë shtyrë e disa janë vendosur të zhvillohen pa praninë e tifozëve, në mënyrë që të kontrollohet sa më shumë përhapja e këtij virusi.

Të gjitha këto kanë bërë që të ngrihen dyshime mbi vijueshmërinë e këtij sezoni të Premierligës dhe për efektin që mund ta ketë coronavirusi në tentativën e Liverpoolit për ta fituar titullin e kampionit të Anglisë për herë të parë në 30 vjet.

A mund ta humbë Liverpooli titullin e Premierligës nëse situata përkeqësohet?

Gazeta britanike “Telegraph” raporton se Liverpooli s’e ka të garantuar titullin e Premierligës, nëse sezoni aktual anulohet për shkak të përhapjes së coronavirusit nëpër botë.

Në librin e rregullave të Premierligës s’është e caktuar se çfarë duhet të ndodhë nëse gara anulohet para kohe.

Ende nuk është e qartë nëse Premierliga, do të vendoste që askush të mos shpallet kampion dhe askush të mos bie nga liga, por që liga të startojë nga fillimi sezonin e radhës.

Për të vendosur për këtë, gazeta tjetër britanike, “Daily Mail”, raporton se Premierliga, Federata e Futbollit e Anglisë dhe klubet angleze janë duke mbajtur bisedime për ta vendosur më të mirën për të gjithë.