75 Mall Live Search
16:13 / E Shtunë, 19 Prill 2025 / Gj. Sh

Përkujtohen dëshmorët dhe martirët e Komunës së Lipjanit, Ahmeti: Prilli – plagë që nuk mbyllet kurrë

Në Akademinë Përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të Komunës së Lipjanit, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se kujtojmë me nderim të thellë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, raporton EO.

“Prilli, për ne, nuk është thjesht një muaj kalendari. Prilli është plagë që nuk mbyllet kurrë. Është kujtim që dhemb, por edhe na jep forcë. Është amanet që na rëndon mbi supe, por që e mbajmë me krenari.

Në Sllovi, Ribar të Vogël, Hallaq e shumë fshatra të tjera, u kryen mizori të mëdha. U vranë njerëz të pafajshëm, vetëm pse ishin shqiptarë. Kujtimi për ta nuk është ceremoni, por zotim. Zotim se nuk do t’i harrojmë. Zotim se nuk do ta shkelim kurrë gjakun e tyre.

Gjaku i tyre është vetë liria jonë, dhe kjo liri na detyron – na detyron të jemi të ndershëm, na detyron të mos i mbyllim sytë ndaj padrejtësive, na detyron të punojmë për një Kosovë që e meriton amanetin e tyre.

Andaj, na duhet punë, jo fjalë boshe. Na duhet drejtësi, jo hakmarrje. Na duhet vizion, jo ndarje. Amaneti i dëshmorëve nuk ishte pushteti. Amaneti i tyre ishte shteti – i drejtë, i barabartë dhe me dashuri për atdheun. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të kombit!’, u shpreh kryetari i Lipjanit, Ahmeti.