75 Mall Live Search
13:35 / E Hënë, 25 Nëntor 2024 / Z S

Përleshen fizikisht deputetët dhe ministrat në Kuvendin e Serbisë

Sot, në Kuvendin e Serbisë janë përplasur fizikisht përfaqësuesit e qeverisë dhe opozitës, si dhe disa ministra.

Forcat e sigurisë i ndanë dhe disa deputetë, të cilët vazhduan konfliktin duke rrëmbyer një pankartë fyese që deputetët e qeverisë kishin vendosur në Kuvend.

Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiq, u kërkoi deputetëve të kthehen në ulëset e tyre, në mënyrë që seanca plenare të mund të vazhdojë.

Deputetët opozitarë njoftuan se do të bllokojnë punën e parlamentit, pasi Bërnaqi refuzoi kërkesën e tyre për të caktuar një seancë ku do të diskutohej për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë serbe, pas incidentit në stacionin hekurudhor në Novi-Sad më 1 nëntor, kur 15 persona humbën jetën si pasojë e shembjes së një strehe prej betoni.

Opozita serbe po kërkon shkarkimin e kryeministrit Millosh Vuçeviq, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për ngjarjen në Novi-Sad.

Kuvendi i Serbisë po diskuton lidhur me buxhetin e vitit 2025./Indeksonline/