75 Mall Live Search
22:44 / E Diele, 11 Maj 2025 / FR

Përleshje me armë në Viti – 5 persona përfshihen në një konflikt, një i lënduar

Një incident ka ndodhur të dielën rreth orës 14:10 në fshatin Ballancë të komunës së Vitisë, ku pesë persona janë përfshirë në një përleshje fizike.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se konflikti kishte shpërthyer pas një mosmarrëveshjeje mes pesë personave, ku njëri nga të dyshuarit ka përdorur armë zjarri të tipit TT, duke shtënë tri herë në drejtim të pjesëmarrësve në konflikt. Për fat të mirë, nga të shtënat nuk është lënduar askush.

“Nga të shtënat me armë nuk ka pasur të lënduar, megjithatë njëri nga të përfshirët ka pësuar lëndime trupore gjatë përleshjes fizike dhe është duke u trajtuar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Gjilanit. Sipas mjekut kujdestar, gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Hashani.

Në vendin e ngjarjes, policia ka konfiskuar armën e dyshuar, tri gëzhoja dhe tre fishekë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë kryer kontrolle në dy shtëpi të të dyshuarve në lokacione të ndryshme.

Hashani njoftoi se të pesë personat e përfshirë në rast janë arrestuar dhe pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndaj tyre është iniciuar kallëzim penal për veprat penale: “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”./IndeksOnline/