Përleshje mes dy personave në Strellc të Epërm, një person goditet me veturë

Një incident është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Strellc të Epërm të Deçanit, ku një përleshje fizike mes dy personave ka eskaluar deri në goditje me veturë.
Fillimisht, rasti ishte raportuar si aksident trafiku, por policia në vendngjarje ka konstatuar se bëhej fjalë për një konflikt të nisur në një lokal, e që më pas ka përfunduar jashtë tij, transmeton IndeksOnline.
Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për IndeksOnlinen se njëri nga të përfshirët në përleshje e ka goditur me veturë personin tjetër.
“Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka kuptuar se është një përleshje mes dy personave në një lokal. Pasi kanë dalë nga lokali, njëri prej tyre e ka goditur me veturë tjetrin”, tha Gashi.
Njësitet policore janë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin, ndërsa nuk është bërë e ditur gjendja shëndetësore e personit të goditur.
Policia pritet të japë më shumë informacione pas përfundimit të hetimeve fillestare./IndeksOnline/