75 Mall Live Search
22:46 / E Enjte, 01 Maj 2025 / MSH

Përleshje mes tre personave në Prizren, njëri është pjesëtar i Policisë së Kosovës

Një zyrtar policor dhe vëllai i tij janë përfshirë në një përleshje fizike me një person tjetër pasditen e së enjtes në qytetin e Prizrenit. 

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili bëri të ditur se përplasja fizike ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje verbale mes palëve të përfshira. 

“Sot, rreth orës 15:00, policia ka pranuar informatën për një rast rrahje. Patrulla ka ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, në rrugën ‘5 Maji’ në Prizren, ku ka identifikuar të përfshirët: E.B. nga njëra anë dhe vëllezërit B.Sh. dhe F.Sh. nga ana tjetër, ky i fundit zyrtar policor. Të tre dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike pas një mosmarrëveshjeje”, deklaroi Bytyqi. 

Për shkak të përfshirjes së një zyrtari të policisë në incident, rasti i është përcjellë edhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) për hetime të mëtejshme./IndeksOnline/