Përmbyset anija me emigrantë në Mesdhe, humbin jetën dy fëmijë

Një ngjarje dramatike ka ndodhur pranë brigjeve të Tunizisë, në zonën e kërkimshpëtimit (SAR) në Mesdhe, ku dy fëmijë kanë humbur jetën dhe një person tjetër rezulton i zhdukur.
Incidenti ndodhi gjatë përmbysjes së një mjeti lundrues me emigrantë, gjatë një operacioni shpëtimi të ndërmarrë nga një anije tregtare.
Lajmi është bërë publik nga organizata joqeveritare Sea Watch, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetin social X denoncon ngjarjen dhe mënyrën si është trajtuar situata.
Sipas deklaratës së Sea Watch, të hënën avioni i tyre mbikëqyrës, Seabird 2, ka vërejtur një anije me mbi 90 persona në bord, e cila ndodhej në det të hapur prej tre ditësh. Edhe pse është dhënë alarmi për ndihmë, Frontex ka mbërritur në vendngjarje vetëm gjashtë orë më pas, nuk ka ndërhyrë dhe më pas është larguar.
Ndërkohë, anija tregtare Port Fukuka ka tentuar të ndërhyjë për të shpëtuar emigrantët, por gjatë këtij operacioni varka është përmbysur. Dy fëmijë kanë ndërruar jetë dhe një person është ende i zhdukur. Të mbijetuarit aktualisht ndodhen ende në bordin e anijes tregtare, e cila nuk ka marrë ende leje për të hyrë në asnjë port italian.
Sea Watch ka ngritur shqetësimin se ekziston rreziku real që rojat bregdetare libiane të marrin përsipër kthimin e emigrantëve në Libi – një vend ku, sipas organizatës, ata përballen me rrezik të madh. Ndërkohë, anija e shpëtimit Aurora, në pronësi të Sea Watch, do të kishte qenë në gjendje të ndërhynte, por sipas tyre, autoritetet italiane e mbajnë të bllokuar në portin e Lampedusës pa arsye të vlefshme.