Përmbytet anija turistike në Vietnam, 38 viktima mes tyre edhe fëmijë

Një anije turistike u përmbyt si pasojë e një stuhie të fuqishme në Gjirin Ha Long të Vietnamit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 38 personave, përfshirë edhe fëmijë.
Anija me emrin Wonder Sea kishte në bord 48 turistë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, gjatë një turneu në një nga destinacionet më të njohura turistike të vendit.
Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin gjallë vetëm 11 persona deri më tani, ndërsa operacionet e kërkimit vijojnë për gjetjen e të zhdukurve. Lajmi është konfirmuar nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Vietnamit.
Ngjarja ndodhi në kulmin e stuhisë tropikale Wipha, e cila kishte përfshirë Detin e Kinës Jugore, duke sjellë reshje të rrëmbyeshme dhe erëra të forta që goditën zonën bregdetare.
Kjo është stuhia e tretë që prek Vietnamin këtë vit dhe pritet të godasë bregun verior të vendit në fillim të javës së ardhshme.
Gjiri Ha Long, një vend i mbrojtur nga UNESCO si Trashëgimi Botërore, është i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe qindra ishujt e vegjël që tërheqin çdo vit mijëra turistë nga e gjithë bota.