75 Mall Live Search
19:44 / E Premte, 09 Janar 2026 / MSH1

Përmbytjet: 39 familje u evakuuan në Mitrovicë, Skenderaj e Vushtrri

Zyrtarët policorë në të gjithë vendin janë angazhuar intensivisht ditëve të fundit, jo vetëm për detyrat rutinë, por edhe për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e shumta të shiut.

Përmbytjet kanë prekur rrugë, toka bujqësore, shtëpi banimi dhe lokale afariste, ku disa ura janë shembur dhe disa familje janë evakuuar nga zonat më të rrezikuara.

Policia ka monitoruar situatën në terren, duke orientuar trafikun në rrugë alternative, ndërkohë që është koordinuar me Shtabet Komunale dhe institucionet e tjera për menaxhimin e situatës. Në rajonin e Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jugu (Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri) janë evakuuar 39 familje të rrezikuara nga përmbytjet.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj me përkushtim, duke vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet për ofrimin e sigurisë dhe asistencën e shërbimeve emergjente, me qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve në këto ditë me situata të jashtëzakonshme.