75 Mall Live Search
11:42 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / MSH1

Përmbytjet dëmtojnë amvisëritë në Rahovec, Latifi tregon zonat më të prekura

Reshjet e dendura të shiut kanë prekur edhe Rahovecin. Shumë amvisëri janë dëmtuar nga përmbytjet e ditës së djeshme, që në disa zona ishin më intensive.

Një ditë pas situatës kaotike, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, pohon se situata është e qetë.

“Është stabilizuar tashti. Sot është mirë! Mbrëmë ka qenë qetë. Mirëpo, janë evidente pasojat e përmbytjeve që ndodhen dje. Kemi dy familje që kanë nevojë për ndihmë ushqimore. Edhe ato besoj që do i kryejmë. Ka familje pranë Drinit të Bardhë, aty ku është rritur niveli i ujit, aty ku ka disa shtëpi. Dy familje aty kanë kërkuar ndihmë ushqimore, por po vijojnë qëndrimin aty. Nuk ka ndonjë rrezik, mirëpo është ujë i madh dhe ka sipërfaqe të mëdha të mbuluara me ujë.

Mund të themi se reshjet kanë qenë të dendura, intensive, dhe ka pasur sasi të mëdha të ujërave. Ne kemi bërë investime të shumta në trajtimin e shtretërve të lumenjve dhe pastrimin e vijave të tyre, mirëpo kjo është e pamjaftueshme kur ka reshje të shumta dhe uji del nga shtretërit”, deklaroi Latifi, për IndeksOnline.

Ai tha se reshjet kryesisht ndodhin kur rritet niveli i ujit në Drinin e Bardhë, duke shtuar se janë disa fshatra të prekura nga këto dëme.

“Dëmet i kemi pasur kryesisht në amvisëri. Nuk e dijmë vlerën e tyre, por do të presim adresimin e qytetarëve, në Komisionin komunal që e kemi për evidentim dhe vlerësim të dëmeve. Ka pasur dëme edhe në bujqësi, në përmbytje të tokave bujqësore. Janë pika të ulëta. Është fat që nuk janë të mbjella tokat.

Dëme kemi pasur edhe në infrastrukturë. Kemi pasur shembje të dheut. Pastaj, dëme në infrastrukturë publike, ku janë dëmtuar shtylla të KEDS-it, trafo, e plot të tjera. Në shumë aspekte kemi dëme. Më të mëdhatë janë ato në amvisëri, në disa vendbanime, si në Fortesë, Xërxë, Ratkoc, Hoçë, Brestovc, Malësi të Vogël, Dobidol, e kështu me radhë”, shtoi kryetari.

I pari i Rahovecit pohoi se të gjitha dëmet do të regjistrohen, duke thënë se fatmirësisht sot është stabilizuar situata.

“Të gjitha këto do të regjistrohen, do të vlerësohen dëmet, do të përgatitet raporti dhe do të adresohet në Komisionin shtetëror për kompensim të dëmeve, brenda afatit optimal. E rëndësishme është që situata sot është e qetë, reshje nuk ka, dhe shpresojmë të vazhdojë kështu”, përfundoi ai.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, shumë qytete të vendit u përballen me përmbytje masive, pas reshjeve madhore të shiut gjithandej Kosovës./IndeksOnline/