18:42 / E Diele, 12 Dhjetor 2021 / AR

Përmbytjet në Shqipëri/ Lumi Vjosa del nga shtrati

Dalja e lumit Vjosa nga shtrati ka shkaktuar përmbytjen e disa fshatrave në Fier dhe Vlorë.

Top Channel raporton se rreth orës 03:00 të mëngjesit, lumi çau argjinaturën (pritë anës lumenjve për të ndaluar vërshimin e ujërave) duke përmbytur shtëpi në fshatrat përreth. Situata më e rëndë paraqitet në Novoselë dhe Ferras. Pjesëtarët e një familjeje, bashkë me bagëtitë qëndruan për disa orë mbi tarracën e shtëpisë, derisa ekipet e shpëtimit i evakuuan.

“Intensiteti i reshjeve është shtuar shumë 24 orët e fundit. Shqetësuese është situata e krijuar për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa në urën e Mifolit. Kjo ka shkaktuar përmbytje në fshatin Novoselë dhe në fshatin Ferras. Prej orëve të para në zonë janë angazhuar mbi 75 efektivë të Forcave te Armatosura dhe mjete, të cilat po u vijnë në ndihmë strukturave të mbrojtjes civile në Vlorë e Fier,” njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes tha gjithashtu se “me prioritet po ndiqet situata e krijuar si pasojë e prurjeve të lumit Shushica që nxori jashtë funksionit urën e fshatit Mesaplik në bashkinë Selenicës, por edhe në fshatin Kallarat në bashkinë Himarë.”

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh se “shtabet e emergjencave janë ngritur 10 ditë më parë; janë evakuuar në kohë banorët e rrezikuar.”

Sipas Euronews Albania, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile ka lajmëruar se nëse situata vijon të jetë problematike, do të detyrohen të bëjnë evakuim me forcë të banorëve.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit Taulant Balla, u shpreh se kjo ka qenë prurja më e madhe e ujit në 50 vitet fundit. Televizioni A2 raporton se për herë të parë në histori, niveli i lumit Vjosë ka arritur në 8 metra. 

Ministri i Mbrojtjes, bazuar edhe në parashikimet e motit nga Instituti i Gjeoshkencave, tha se pritet që në orët në vijim të kemi përmirësim.