20:00 / E Hënë, 15 Prill 2019

Përmendja e afateve për liberalizimin e vizave rritë zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi sot gjatë ditës ka zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Me të njëjtit, Thaçi ka folur për  liberalizimin e vizave, dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për perspektiven e anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Thaçi edhe njëherë ka kërkuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, transmeton Indeksonline.

Nga ana e tij, Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane thotë se tashmë kosovarët nuk po i marrin seriozisht deklaratat e udhëheqësve institucional.

Sipas tij, pushtetarët e kanë humbur krediblitetin sa i përket liberalizimin e vizave.

“Mendoj që deklarata e udhëheqësve institucional tani më nuk po merren seriozisht nga qytetarët e vendit. Mendoj që ata e kanë humb kredibilitetin, sa i përket këtij procesi.” , u shprehë Kryeziu për Indeksonline.

Ai beson që procesi i liberalizimit sa i përket afateve është keqpërdorur politikisht nga të gjithë udhëheqësit.

“Ky proces sa i përket afateve është keqpërdor politikisht nga të gjithë udhëheqësit institucional të Republikës së Kosovës. Ata kanë premtuar vit pas viti afate kohore për lëvizje të lirë. E fundit ka qenë viti 2018 kur të gjithë udhëheqësit institucional nga presidenti e deri tek ministri i integrimit kanë thënë që fundi i vitit do të jetë koha e fundit kur qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”, ka thënë tutje ai.

“Ne e dimë që nuk ka pas premtim sa i përket afatit kohor nga asnjë përfaqësues i vendit anëtar të Bashkimit Evropian për vitin që shkoi dhe pastaj ne i dimë retorika që u përdor anti Bashkimit Evropian nga segmente dhe përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kosovës”, tha Kryeziu.

Sipas tij, udhëheqësit institucional duhet të punojnë që të forcojnë sistemin e drejtësisë.

“Unë mendoj që gjëja e vetme që duhet bërë këta udhëheqës të institucioneve tona është me ndërtu një sistem drejtësisë kredibil transparent me njerëz me integritet të cilët janë të aftë për të hetuar e gjykuar profile të larta, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, tha ai.

Kryeziu ceku se obligimet që delegojnë nga agjenda evropiane e reformave duhet të përmbushen.

“Duhet përmbushur obligimet që delegojnë nga agjenda evropiane e reformave, proces ky që është dashtë të jetë i harruar në vitin 2017-të dhe ne kemi vetëm pesë prioritete të përmbushura nga 22 kritere që i ka në tërësi kjo agjendë, e cila po e ripërsëris është dashur të jetë përfunduar në fund të vitit 2017-të. Ne jemi në prill të vitit 2019-të dhe vetëm 5 prioritete nga 22 sosh që kanë arritur të përmbushen.” , u shprehë ai.

Sipas tij, përmendja e afateve e datave vetëm sa po e rrit frustrimin e qytetarëve të Kosovës.

“Përmendja e datave vetëm sa po e rritë frustrimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në fund këtë po e bëjnë për përfitime politike por as nuk po arrin nga këto grusht votave dhe sa po rritën pritshmëritë dhe në fund po rritet zhgënjimi te qytetarët e vendit.”, përfundoi Kryeziu./Indeksonline/