75 Mall Live Search
17:28 / E Martë, 27 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Përmes ligjit kërkohet që të ndalohen abortet në klinika private

Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK çdo javë paraqiten 3-4 kërkesa për aborte në Kosovë. Përkundër kësaj, shteti ynë nuk ka ende të dhëna se sa aborte kryhen. Ndërsa të shumta janë rastet kur gratë dhe vajzat kosovare abortojnë në ambulancat private, të cilat nuk i përmbushin kushtet e parapara me legjislacion. Për këtë u kërkua që të ndalohet me ligj kryerja e abortit në klinika private.

Këto janë të gjeturat që janë prezantuar në raportin “Tregu me abortet”.

Prezantuesja bëri të ditur se gjatë hulumtimit ka gjetur se bëhet një lloj tregtie me abortet, pasi ka mjekë, të cilët punojnë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe iu sugjerojnë pacientëve të shkojnë në ordinanca private.

Kështu, prej 40 mjekëve sa ka kjo klinikë, ajo tha se të gjithë kanë ordinanca private, derisa shtoi se ka hasur në gra dhe vajza që kanë pohuar se u është sugjeruar nga mjeku të shkojnë në ordinancë private.

Krahas kësaj, mbetet shqetësuese qasja mjekëve në Klinikën e Gjinekologjisë, të cilët sipas Aliut, abortin e trajtojnë si vrasje dhe krim. E përkundër heqjes së afishes ku thuhet se aborti është vrasje me duart e nënës, ajo u shpreh se qasja e stafit të klinikës nuk ka ndryshuar.

“Gjithë këta mjekë kanë ordinanca private dhe prej regjistrit të gjinekologjive që janë në Kosovë, mund të shihni që 90 janë aktuale, 81 prej tyre i gjeni në regjistrin aktual të institucioneve shëndetësore të licencuara. Prej tyre, vetëm 5 janë spitale, që kanë kushte spitalore. Ndërsa të tjerat janë ambulanca gjinekologjike që punojnë vetëm në kushte të një ambulante. Pra, dikush mund të thotë çka ka problem. Çështja është që licencat që kanë për të operuar si institucione shëndetësore që ofrojnë shërbime gjinekologjike, nuk garanton aborte të sigurta në këto ambulanca gjinekologjike, për shkak se ato nuk i plotësojnë kriteret e parapara në legjislacion. Janë katër udhëzime administrative dhe një ndër to e specifikon që ambulanca gjinekologjike apo institucionet shëndetësore që ofron shërbime gjinekologjike duhet me pas parakushte edhe të intervenimit në rast të komplikimit”, u shpreh ajo.

Tutje, ajo tregoi se si në disa barnatore, kryesisht në periferi të kryeqytetit, ka blerë 53 copë citopek, që është shumë i rrezikshëm nëse jepet pa recetë.

Kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve Shefqet Lulaj, tha se nuk i pëlqen motoja “Tregtia me aborte”, teksa tha se në gjetje ka realitet, por pasqyrohet edhe ana e mirë. Ai pohoi se nuk respektohet periudha paraprake për konsultë paraprake, ndërsa shtoi se kjo është neglizhencë e ligjit.

“Abortet janë gjëja më e rrezikshme që mund të bëhet në trupin e nënës. Prandaj, marrja e guximit për kryerjen e abortit në kushte çfarë kryhet te ne, duhet guxim i madh dhe profesional… Në të ardhmen, kur të rishikohet ligji, nga ligji duhet të hiqet e drejta e ambulancave private të bëhen aborte artificiale”, tha ai.

Përpos ndërprerjes të vullnetshme, deri në javën e 10-të, Lulaj tha se është e mundshme që shtatzënia të ndërpritet edhe pas javës së 10-të, porse shtoi se duhet të adresohet fillimisht në komision. Sa i përket mungesës së dokumentacionit, ai tha se Klinika e Gjinekologjisë i ka të gjitha të dhënat.

Deputetja Teuta Haxhiu u shpreh se është e shqetësuar për shëndetin e vajzave dhe grave që kryejnë abortin.

“Unë mendoj se duhet të punohet shumë më shumë që të kemi edukim gjithëpërfshirës, të detyrueshëm seksual në të gjitha shkollat. Edhe normal të përmirësohet privatësia dhe konfidencialiteti në institucionet shëndetësore. Në këtë rast, unë konsideroj se nuk janë ligjet që janë të këqija. Kosova nuk vuan në këtë aspekt. Por, vuan në zbatim të tyre. Gjithçka që është në plotësim-ndryshim të një ligji është puna më e lehtë. Tani, duke mos qenë e fushës, i shënova të dhënat që i dha doktori. Një nismë për të ndryshuar një ligj është shumë e lehtë. Jemi 6 deputetë, ne mund ta marrim një iniciativë për ta plotësuar një projektligj”, u shpreh ajo.

Ndërsa, sipas sociologes Sibel Halimi, duhet të analizohen detajisht të gjithë faktorët që shtyjnë femrat deri në vendimin për ndërprerje të shtatzënisë.