75 Mall Live Search
12:43 / E Mërkurë, 07 Janar 2026 / H F

Përparim Rama hap arkën për sigurinë në trafik, ndan gati gjysmë milioni euro për semaforë në Prishtinë

Prishtina pritet të pajiset me semaforë të rinj dhe pajisje moderne për sigurinë në komunikacion, në kuadër të një kontrate të dhënë nga Komuna e Prishtinës e udhëhequr nga kryetari Përparim Rama, shkruan IndeksOnline.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, projekti do të përfshijë disa nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Zona 1 do të mbulojë Qendrën, Tophanen, Dodonën, Ulpianën, Bregun e Diellit, Dardaninë dhe Lakërishten, ndërsa Zona 2 përfshin lagjen Kodra e Trimave.

Marrëveshja kornizë do të zgjasë 24 muaj, gjatë së cilës do të realizohet ndërtimi i semaforëve dhe modernizimi i pajisjeve ekzistuese për rritjen e sigurisë së këmbësorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 500 mijë euro, ndërsa kontrata është dhënë në vlerën 497,600 euro. Projekti do të zbatohet nga grupi i operatorëve ekonomikë Techno Inspect SH.P.K., Bahri Asllani dhe I.T.K. SH.P.K.

Autoritetet komunale thonë se ky investim synon të sjellë më shumë rend, teknologji moderne dhe siguri në rrugët e kryeqytetit, duke përmirësuar menaxhimin e trafikut në zonat me ngarkesë të lartë.