Përparim Rama mbanë takim urgjent të dielën, takon drejtorin e KEDS pas reduktimeve të shpeshta me energji elektrike

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është takuar me drejtorin e KEDS-it, Alpin Dogan, për të diskutuar mbi ndërprerjet e energjisë elektrike dhe situatën në përgjithësi.
Në këtë takim, Rama ishte i shoqëruar nga nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj.
Të dy bashkë e parashtruan te Dogan kërkesën për bashkëpunim që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

“Sot, mbajtëm një takim urgjent e shumë të mirë me Drejtorin Gjeneral të KEDS-i, Z. Alpin Dogan dhe ekipin e tij, për të diskutuar lidhur me situatën energjetike në Prishtinë.
Z. Alpin na informoi se ditëve të fundit ka pasur punime të planifikuara në disa nën-stacione, të cilat kanë përfunduar me sukses, dhe u zotuam se do të bashkëpunojmë ngushtë që mos të kemi ndërprerje të energjisë elektrike”, ka njoftuar kryetari Rama mbi takimin.
Gjatë ditës së djeshme, një pjesë e madhe e kryeqytetit ishte pa energji elektrike, për shkak të punimeve që kishte KEDS.