Përparim Rama: Tash është koha t’i përvishemi punëve

Kryetari i ri i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka përshendetur qytetarët e Prishtinës, duke u zotuar për vullnet të mirë e bërje të ndryshimeve afatgjate.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se besimi i votuesve të tij i jep përgjegjësi të jashtëzakonshme, bashkë me nder.
“Tash është koha t’u përvishemi punëve”, ka shkruar ndër të tjerash Rama.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Prishtinës,
Pranimi i detyrës dhe betimi për të parin e Prishtinës ishte ditë e veçantë për mua dhe për të gjithë banorët e Prishtinës. Zëri juaj, vullneti i mirë për të bërë ndryshime të mbara e afatgjata në Prishtinën tonë të zemrës nuk është më moto e fushatës, por zotim i imi dhe i ekipit tim.
Në këtë seancë inauguruese të Kuvendit Komunal të Prishtinës, dhashë betimin si Kryetar i Komunës, i zgjedhur nga ju, besim i cili më jep përgjegjësi të jashtëzakonshme, por edhe nderin më të madh e më të përgjegjshëm të jetës sime.
Tash është koha t’u përvishemi punëve!
Ju falemnderit të gjithëve për urimet e shumta që kam pranuar këto ditë. Na priftë e mbara!