17:42 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

Përpjekjet për shpëtimin e njerëzve nga tërmeti në Turqi, drejt fundit numri i të vdekurve shkon në 36!

Përpjekjet për të gjetur të mbijetuar e tërmetit të fuqishëm që goditi zonën lindore të Turqisë po shkojnë drejt përfundimit, përderisa numri i personave të vdekur ka arritur të paktën në 36.

Rreth 45 persona janë tërhequr të gjallë nga rrënojat deri më tani.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha se operacioni i kërkim-shpëtimit kishte përfunduar kryesisht, por ekipet kishin lokalizuar gjashtë persona ende të bllokuar nën rrënoja.

“Kanë kaluar rreth 36 orë nga tërmeti, por ne jemi akoma në orët ku mund të shpresojmë”  tha ai një konference shtypi të dielën.

Tërmeti me 6.8 shkallë të Rihterit tronditi krahinën Elazig të Turqisë mbrëmjen e së premtes, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave.

Më shumë se 1.600 njerëz u plagosën në tërmet, ndërsa 104 gjenden akoma në spital.