14:42 / E Enjte, 25 Maj 2023 / AR

Përplasen Hajdari e Musliu Shoshi: “Djem të komandatave”, “Thuaji me emra” (video)

Në seancën e sotme të Kuvendit janë përplasur mes vete ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi.

Teksa Hajdari u shpreh se në qeveritë e kaluara ka pasur gjakderdhje financiare e është keqpërdorur paraja publike, Musliu Shoshi kërkoi emrat e atyre që kanë bërë këto keqpërdorime, raporton Indeksonline.

“Nga krejt ky debat që e patëm sot z.ministre krejt ajo që dëgjuam nga ju edhe pse isha shumë e interesuar sinqerisht të dëgjoj diçka nga ju ndonjë sukses apo të pranoni keqpërdorimet të mëdha që janë bërë. Krejt çka dëgjuam janë keqpërdorimet e qeverive të kaluara, iu kisha lut se nëse kanë ndodh keqpërdorime ato kanë ndodh nga disa persona që kanë emër dhe mbiemër prandaj të kisha lut për krejt këto që i the, të na tregosh se kush janë personat që kanë keqpërdor, kujt po i referohesh saktë.

Në raportin tuaj për top të arriturat e qeverisë, keni potencuar që ndalja e dukurive negative është rezultat nga ndalja e keqpërdorimeve të buxhetit përmes skemave korruptive të granteve për përkrahje të bizneseve bashkë me makineritë e tyre. E keni pasur fjalën për skemat momentale të granteve të KIA-s të cilat i tha edhe Ferati, në lidhje me subvencionet e ministrisë që janë rreth 700 mijë euro apo e keni pasur fjalën për një skemë tjetër të MINT-it.

Për të pasur më shumë qartësi, na duhet konfirmim nga ju në lidhje me disa çështje që ju vet i keni deklaruar dhe i keni diskutuar në publik.

Ju ministre keni deklaruar se keni ftuar hetuesinë dhe prokurorinë në lidhje me skemën korruptive të cilën e keni argumentuar dhe për të cilën tashmë keni thënë se ka persona të arrestuar dhe janë në paraburgim. A është kjo e vërtetë, nëse po, kush janë këta persona që kanë ndërmjetësuar në këtë proces? A e keni formuar ju me vendim tuajin këtë komision vlerësues për grante dhe a jeni njoftuar ju si ministre mbi këtë aferë dhe a keni marrë ndonjë masë ndaj këtyre personave apo ata ende vazhdojnë të kenë kompetenca të plota në vendimmarrje? Kush janë personat që bëjnë vlerësimet e aplikacioneve dhe a kanë përvojë e kredibilitet për këto procese? Kush janë përfituesit dhe pse nuk bëhen publike emrat e përfituesve nga ministria juaj? Pse llogaridhënia është zero? Pyetja e fundit është se kur do të vijë vaji nga Polonia?”, tha deputetja Musliu Shoshi.

Ndërsa Hajdari u përgjigj duke thënë se ndërmjetësues kanë qenë djem të komandatave, duke mos përmendur emra, pasi siç u shpreh se “nuk jam gjykatëse për të dhënë emra”.

“Ka pas në vitin e kaluar ndërmjetësues, djem të komandantave, që iu kanë qas, i dinë prokuroria dhe zyrtarët e MINT-it dhe bizneset janë intervistu dhe nuk ka pas gjetje te zyrtarët e MINT. Vetëm pas 6 muajsh hetime ne kemi lansuar skemën e granteve. Pyete prokurorinë dhe policinë dhe inspektoratin, ata iu japin emra, unë nuk jam gjykatësi. Ka pasë nga Mitrovica, Podujeva që janë takuar në Prishtinë dhe i kanë josh bizneset për ti dhënë garancion për grante dhe i kanë kërkuar 5 mijë euro. Unë kam lajmëru policinë.. Me ata po merret prokuroria e gjykatës themelore”, tha Hajdari.

Deputetja e PDK-së insistoi në dhënien e emrave, pasi që as ajo as partia e saj nuk ndërhyjnë në prokurori dhe gjyqësi.

“Mirë është me tregu kush janë ata komandanta, djemt e kujt janë ata që ju keni komuniku, sepse ne si PDK dhe unë personalisht asnjëherë nuk kemi ndërhy në prokurori e gjyqësi siç bëni ju dhe na intereson me dit kush janë emrat e këtyre djemve të komandantave. Mos ik me thashetheme që vetëm ti din ti bësh”, përfundoi Musliu Shoshi./Indeksonline/