11:50 / E Enjte, 09 Mars 2023 / B O

Përplasen Reshitaj e Konjufca: S’jam deputete e mëditjeve!

Deputetja Albena Reshitaj i ka reaguar Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili dje i propozoi Administratës së Kuvendit që të mos i ndaheshin mëditje deputetes në fjalë, duke thënë se qëndroi vetëm 10 sekonda në seancë dhe pas nënshkrimit e lëshoi sallën.

Reshitaj e ka quajtur deklaratën e Konjufcës si emocionale dhe të pahijshme, derisa tha se kishte edhe deputetë të tjerë që qëndruan po aq sa ajo, por që s’u përmendën.

Dje emri im u lakua në shumë media e portale nga një deklaratë emocionale dhe aspak e hijshme publike nga ana e kryesuesit të Kuvendit. Duke e mbyllë seancën me një të pavërtetë e thënë fillimisht se unë paskam qëndruar disa sekonda në Kuvend. Gjithashtu z.Konjufca për disa deputetë të opozitës që qëndruan aq sa unë ose edhe më pak në Kuvend, nuk i paskan penguar ose ghithë mllefin që kishte nga pamundësia për të koordinuar ose për të bërë funksional seancën, vendosi ta derdhte mbi emrin tim dhe mbi mua dhe pikërisht në ditën më të veçantë, Ditën e Grave. I nderuari z.Konjufca, unë jam deputete në mandatin e dytë dhe unë vendos politikisht për vendimet se a do të qëndrojë dhe kur do të qëndrojë në seancë”, tha Reshitaj.

Reshitaj tha se s’është “deputetja e mëditjeve”, derisa i kërkoi kryeparlamentarit që të tërhiqet nga deklarata e djeshme.

Nuk jam unë deputetja e mëditjeve, as për mëditje e as për rrogë nuk vi në Kuvend. Besoj e dini profesionin tim dhe investimin tim 17 vjeçar që kam bërë për të pasur një rrogë shumëfish më të madhe se ajo që marrë nga ky Kuvend. Nuk ke të drejtë të më ofendosh publikisht. Unë nuk marr mëditje. Për dy mandate, vetëm njëherë jam përkrahur nga Kuvendi kur kam qenë jashtë vendit, edhe atë me ftesë të Ambasadës Amerikane dhe Qeverisë amerikane. Për dy mandate, vetëm një vizitë e kam pasur jashtë vendit. I nderuar Kryetar i Kuvendit, shpresoj të relfektoni dhe të tërhiqeni nga këto fjalë të pavërteta që keni thënë publikisht për mua”, deklaroi Reshitaj.

Pas deklaratës së Reshitajt, reagoi Konjufca i cili tha se ai qorton deputetët rrallë dhe vetëm kur ia teprojnë, duke shtuar se ky ishte një ndër ato raste.

“Znj.Reshitaj, ju me njihni mirë dhe e dini që shumë rrallë bëj qortime publike të deputetëve, por ato i bëj zakonisht vetëm kur ia teprojnë sikur që bëtë ju dje”, tha Konjufca.