12:50 / E Premte, 07 Tetor 2022 / B O

Përplasje ekonomistësh, Murati e Hoti debatojnë ashpër në Kuvend, shkak inflacioni dhe investimet

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ngecjet në investime kapitale gjatë këtij viti janë për shkak të inflacionit.

Në Kuvendin e Kosovës, pas pyetjes së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, ministri Murati, tha se problemi i investimeve kapitale është edhe në nivelin lokal.

Ai tha se kompanitë e kontraktuara nuk po kryejnë obligimet me çmimet e vjetra. Ndërkohë, theksoi se në kohën e krizës aktuale nuk mund të mbajnë rezervat shtetërore në zero, siç ka ndodhur të kaluarën.

“Çështja e investimeve kapitale ka ngecje për disa faktorë. Kryesorja është inflacioni, këtë problem e kanë edhe komunat, nuk është vetëm qeveria qendrore. Kemi rastin ku ju qeverisni, ku janë shumë më keq në zbatim, problemi është inflacioni. Për shkak të rritjes së çmimeve operatorët ekonomik refuzojnë të kryejnë punët me çmimet që i kanë në kontratat e vjetra. Prandaj kemi sjell edhe ligjin për punë publike që mundëson kompensimin shtesë për inflacion në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i punëve me kontratat ekzistuese. Sa i përket nivelit edhe për bilancit bankar dhe investimit kapitale do të pranoi raportin nëntëmujor që tregon sa ka qenë niveli në muajin shtator. Mirëpo edhe diçka tek bilanci bankar 160 milionë euro janë obligime të tjera, siç është fjala 100 milionë euro janë për të hyrat vetanake të komunave të bartura, gjysma e tyre është nga Komuna e Prishtinës. Tjetra, e di se të kaluarën ka qenë praktik se shteti të mbahet, ku rezervat janë qitur në zero. Çdo herë shteti është menaxhuar me pasiguri pa e ditur se çka pret e nesërmja. Por një qeveri e përgjegjshme në këto kohë krizash duhet të ketë së paku disa muaj në bilanc bankar”, tha ai.

Mirëpo i kënaqur me përgjigjen nuk u shpreh deputeti Hoti.

“Fjalori i tillë me mua nuk shkon. Me mua nuk mundesh me diskutu kështu. Nuk mundesh me arsyetuar para qytetarëve me i mbajtur 800 milionë në bilancin bankar të Qeverisë”, tha ai.