75 Mall Live Search
23:22 / E Martë, 04 Mars 2025 / MSH

Përplasje në distancë mes Trumpit dhe Trudeau-s, për tarifat tregtare

Donald Trump dhe Justin Trudeau janë përplasur në distancë për tarifat që presidenti amerikan vendosi ndaj Kanadasë. Kjo e fundit u përgjigj duke vendosur tarifa ndaj një numri të konsiderueshëm mallra, pas taksës 25% për importet kanadeze në SHBA.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau u përgjigj ashpër dhe tha se vendi i tij nuk do të tërhiqet, në një kohë që mirëqenia e të gjithëve është në rrezik. Ai madje iu drejtua presidentit amerikan në emër dhe e akuzoi se pretendimi i tij se Kanadaja ishte një burim i rëndësishëm fentanilit ishte i rremë.

Trudeau shkoi edhe me tej kur tha se edhe pse Trump është i zgjuar, veprimi i tij nuk ishte aspak i tillë.

Nuk vonoi as përgjigja e Trump që kërcënoi sërish se do të vendosë tarifa shtesë ndaj Kanadasë, në rast se Otava ndërmerr veprime hakmarrëse.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump përsëriti se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA dhe e quajti Trudeau thjesht një guvernator.

Ndërkohë Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja për një sërë importesh bujqësore nga SHBA-ja javën e ardhshme. Ministria e saj e financave tha se tarifa shtesë prej 15% do të vendosen për pulën, grurin, misrin dhe pambukun, tarifa të tjera 10% për sojë, mish derri, viç, frutat, perimet dhe produktet e qumështit. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se Otava do të përgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25% për importet amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha se edhe vendi i saj do të hakmerrej me tarifa ndaj mallrave amerikane ndërsa shtoi se do zbulonte se për çfare produkesh këtë të diele.

Tarifat e SHBA-së kanë hyrë në fuqi prej 25 për qind ndaj mallrave nga Kanadaja dhe Meksika, dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, dhe tarifat 20% kundër Kinës – duke dyfishuar taksë ndaj këtij vendi nga muaji i kaluar.