23:53 / E Premte, 22 Korrik 2022 / MSH

Përse dietat rrezikojnë shëndetin e njeriut

Njerëzit që duan të humbin peshë duhet të ndjekin një dietë të ekuilibruar që do t’i ndihmojë ata të arrijnë qëllimin e tyre.

Gjithsesi po aq e rëndësishme është edhe mirëmbajtja, në mënyrë që të mos rifitojnë kilogramët e humbur, që është edhe pjesa më e vështirë e projektit.

Studimet tregojnë se dietat afatgjata, të cilave u drejtohen njerëzit që humbin dhe rifitojnë peshë, janë të rrezikshme për shëndetin.

Arsyeja është se ato lëshojnë disa derivate “industriale” në gjak, të cilat mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kronike, si diabeti, hipertensioni dhe artriti reumatoid.

Në këtë përfundim arritën shkencëtarët e Universitetit Kombëtar të Seulit, të cilët zbuluan se përbërësit specifikë të rrezikshëm ruhen në indin dhjamor, i cili gjatë humbjes së peshës shpërbëhet dhe kalon në qarkullimin e gjakut.

Në kuadrin e studimit u duk se ata që kishin mbajtur një dietë për humbje peshe për më shumë se dhjetë vjet kishin një përqendrim më të lartë të përbërësve të dëmshëm në gjakun e tyre, të quajtur ndotës organikë të qëndrueshëm, sesa ata që nuk kishin luhatje në peshë.

Ekspertët theksojnë se ndotësit organikë të qëndrueshëm kur çlirohen masivisht nga qelizat dhjamore mund të shkaktojnë diabet, hipertension, sëmundje kardiovaskulare, artrit reumatoid si dhe sëmundje periodontale.

Siç tregon studimi, humbja e peshës nuk ka gjithmonë një efekt të dobishëm në shëndet, por në fund të fundit mund të ketë një efekt negativ në shëndet në mënyra të ndryshme dhe krejt papritur.