14:42 / E Hënë, 16 Shtator 2019 / indeksADMonline

Përse duhet ta kontrolloni gjithmonë skadencën e ujit në shishe?

Data e skadimit e ujit të ambalazhuar në shishe plastike është data kur plastika fillon të prishet dhe lëshon kimikatet e saj në ujë. Është njohuri e zakonshme që ju nuk duhet të pini nga shishet e ujit që keni lënë në një makinë të nxehtë, sidomos kur temperaturat e motit janë të larta.

Por kur është hera e fundit që e keni kontrolluar datën e skadimit të një shisheje uji që ju e keni porositur në lokal apo blerë në dyqan?

Nga një pyetësor i kryer nga Agroweb.org, rezulton se 92 persona nga 100 njerëz të kontaktuar në rajone të ndryshme të Shqipërisë, NUK e kontrollojnë datën e skadencës tek uji në shishe plastike, transmeton Indeksonline.

Shumica dërrmuese e konsumatorëve e marrin të mirëqenë faktin që uji në shishe plasike është i sigurt.

Arsyeja pse lëngjet ose produktet e qumështit kanë një datë të skadencës është shumë e vetëkuptueshme, ndaj mund të habiteni që edhe uji në shishe vjen me një afat kohor përdorimi.

Por nuk është cilësia e ujit që duhet të shqetësohemi. Bëhet fjalë për plastikën në të cilën uji vjen i paketuar. Zakonisht vihet re përdorimi i PET për shishe me pakicë dhe polietileni me densitet të lartë, HDPE për paketimet masive të ujit.

Pas një pike të caktuar në jetën e saj, plastika fillon të lëshojë kimikate në ujë. Kjo dukuri ndikon në shijen e ujit dhe përbën një rrezik serioz për shëndetin./Indeksonline/