75 Mall Live Search
22:28 / E Diele, 22 Shkurt 2026 / F.R

Përshkallëzohen tensionet SHBA–Iran/ Uashingtoni akuza Teheranit: Ke bërë marrëveshje me Moskën

Situata mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po hyn në një fazë të re tensioni.

Mediet ndërkombëtare flasin për një marrëveshje të fshehtë ushtarake të shtetit iranian me Rusinë, plane emergjente të udhëheqjes iraniane dhe sinjale të përziera nga Uashingtoni, lidhur me një marrëveshje të mundshme diplomatike.

Marrëveshja sekrete me Moskën

Sipas gazetës britanike Financial Times, Teherani ka arritur një marrëveshje sekrete me Moskën me vlerë rreth 500 milionë dollarë për blerjen e mijëra sistemeve të avancuara raketore tokë-ajër. Marrëveshja, e nënshkruar në dhjetor në Moskë, parashikon furnizimin me 500 sisteme “Verba” dhe 2.500 raketa të tipit “9M336”, të konsideruara ndër sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore ruse.

Ky zhvillim shihet si një përforcim i ndjeshëm i kapaciteteve mbrojtëse të Iranit, në një kohë kur rreziku i një përplasjeje të drejtpërdrejtë me SHBA-të ose Izraelin perceptohet si real.

Planet emergjente të Khameneit

Ndërkohë, The New York Times raporton se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka dhënë udhëzime të detajuara për rrethin e tij të ngushtë mbi mënyrën e veprimit në rast të vrasjes së tij nga sulme të mundshme amerikane apo izraelite. Sipas raportit, janë hartuar plane emergjente që përfshijnë zinxhirë të shumëfishtë komandimi dhe nivele të ndryshme pasardhësish për postet kyçe ushtarake e politike.

Në këtë kuadër, Khamenei ka promovuar besnikun e tij, Ali Larijani, në një rol qendror qeveritar, duke i besuar atij menaxhimin e krizave, koordinimin e diplomacisë bërthamore dhe përgatitjet e mundshme ushtarake.

Megjithëse Larijani nuk konsiderohet pasardhës i drejtpërdrejtë për postin e Udhëheqësit Suprem, për shkak se nuk është një autoritet i lartë fetar, ai përshkruhet si një nga figurat më të besuara të regjimit në kohë krize.

“Kurioziteti” i Trump dhe pritshmëritë amerikane

Nga ana tjetër, i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në një intervistë për Fox News, deklaroi se presidenti Donald Trump është “kurioz” përse Irani nuk i është dorëzuar presionit të madh amerikan.

Sipas tij, Uashingtoni pret që Teherani të deklarojë zyrtarisht se nuk synon të zhvillojë armë bërthamore dhe të paraqesë hapa konkretë për ta provuar këtë. Megjithatë, brenda administratës amerikane duket se ka ndarje mendimesh për një ndërhyrje të mundshme ushtarake apo për skenarin e ndryshimit të regjimit.

Senatori republikan Lindsey Graham, në një intervistë për Axios, tha se disa këshilltarë të Trump po e nxisin atë të shmangë një sulm ndaj Iranit, por ai vetë ka sugjeruar të kundërtën, duke e konsideruar momentin si një mundësi për “ndryshim historik”.

Sinjale hapjeje nga Teherani

Pavarësisht retorikës së ashpër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për CBS, deklaroi se ekzistojnë “shanse të mira” për një marrëveshje diplomatike me SHBA-të. Ai la të kuptohet se një takim i ri mund të zhvillohet në Gjenevë mes palëve, duke sinjalizuar se rruga e zgjidhjes së gjërave me diplomaci mbetet e hapur.

Protesta të reja në universitete

Ndërkohë, brenda Iranit po vazhdojnë protestat studentore në disa universitete, përfshirë Universitetin e Teheranit dhe institucione të tjera të njohura në vend. Sipas raportimeve të mediave opozitare, studentët kanë organizuar tubime për të përkujtuar viktimat e represionit të muajve të fundit, duke brohoritur slogane kundër regjimit.

Autoritetet thuhet se kanë kufizuar hyrjet në kampuse dhe kanë dislokuar njësi sigurie për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Përplasja me Bashkimin Evropian

Në një tjetër zhvillim paralel, Irani ka shpallur “forcat detare dhe ajrore” të vendeve anëtare të Bashkimi Evropian si organizata terroriste. Kjo lëvizje vjen si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Këshillit të BE-së për të futur Gardën Revolucionare Iraniane në listën e organizatave terroriste.