75 Mall Live Search
22:06 / E Enjte, 01 Janar 2026 / H F

Përshkallëzohet kriza në Jemen, mbyllet aeroporti pas përplasjeve mes Arabisë Saudite dhe Emirateve

Trafiku ajror në aeroportin ndërkombëtar të Adenit u ndërpre të enjten, ndërsa tensionet midis Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara po përshkallëzohen, duke përforcuar ndarjet në konfliktin e gjatë të Jemenit.

Sipas Reuters, qeveria e njohur ndërkombëtarisht dhe e mbështetur nga Arabia Saudite vendosi kufizime të reja për fluturimet drejt dhe nga Emiratet, për të frenuar tensionet.

Por ministria e Transportit, e kontrolluar nga separatistët e jugut, reagoi duke urdhëruar mbylljen e plotë të trafikut ajror në vend që të zbatoi kufizimet.

Këshilli i Tranzicionit Jugor (STC), forca separatiste e mbështetur nga Emiratet që muajin e kaluar mori kontrollin mbi pjesën më të madhe të jugut, fajësoi mbylljen për “rregullat e reja të papritura” që Arabia Saudite kërkonte të impononte.

Ky zhvillim pasqyron thellimin e krizës në Jemen dhe ndarjen mes dy fuqive të naftës në Gjirin Persik. Arabia Saudite akuzoi Emiratet se po nxisnin separatistët drejt kufijve të saj dhe shpalli sigurinë kombëtare si një “vijë të kuqe”. Emiratet reaguan duke njoftuar tërheqjen e forcave të mbetura nga vendi.

Tensionet u përshkallëzuan pas një sulmi ajror nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite mbi portin jugor të Mukalla-s, që sipas koalicionit përdorej për mbështetje ushtarake të huaj ndaj separatistëve.