Përshtypjet e gazetarit zviceran që përcolli stërvitjen e Kosovës
Në stërvitjen e parë të Kosovës që e ka zhvilluar të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ishin prezent edhe disa gazetarë të huaj.
Në mesin e tyre edhe zvicerani Christian Rappaz që punon për mediumin “L’illustre”.
Indeksonline ka zhvilluar një intervistë me gazetarin sportiv, në lidhje me përshtypjet e tij për punën e trajnerit të Kosovës Bernard Challandes.
“Challandes ka bërë një punë fantastike, sepse Kosova ka luajtur 9 ndeshje dhe nuk ka pësuar asnjë humbje. Progresi i ekipit është evident. Keni shënuar shumë gola dhe e keni përmirësuar mbrojtjen” theksoi Rappaz.
Në pyetjen se a është i befasuar që një zviceran po e udhëheq Kosovën, ai përgjigjet:
“Jo. Challandes më parë e ka udhëhequr edhe Armeninë dhe ka mjaft eksperiencë sepse ka qenë edhe trajner te Zvicra U21. Është një trajner që punon mirë taktikisht, në disiplinë dhe në organizim të ekipit” deklaroi Rappaz.