Personat e pagjetur do të jenë pika e parë e diskutimit në dialogun Kosovë-Serbi
Po bëhen 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhe Serbia ende nuk tregon lokacionet e shqiptarëve të zhdukur. Tash e dy dekada, familjarët janë në ankth dhe u shkelet e drejta e tyre elementare; informimi për vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ndërkohë, Republika e Kosovës po synon të marrë njohje nga shteti fqinj, dhe po pret të arrijë një marrëveshje finale në pranverë.
Po bëhen 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, dhe Serbia ende nuk tregon lokacionet e shqiptarëve të zhdukur. Tash e dy dekada, familjarët janë në ankth dhe u shkelet e drejta e tyre elementare; informimi për vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ndërkohë, Republika e Kosovës po synon të marrë njohje nga shteti fqinj, dhe po pret të arrijë një marrëveshje finale në pranverë.Familjarët kanë pak shpresë që do të zbardhet fati i personave të zhdukur, ndërkohë që Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë po zotohen se nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa u qartësuar çështja e personave të pagjetur.Qeveria e Kosovës në nëntor mori vendim të vendosë taksë 100% për produktet serbe që hyjnë në Kosovë, si përgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.
Por kështu të prerë nuk arritën të tregoheshin asnjëherë pushtetarët e Kosovës, në çështjen më të ndjeshme në vend, atë të personave të pagjetur.
Nuk u mësuan asnjëherë lokacionet se ku janë dërguar mbi 1555 shqiptarë gjatë luftës së 98-99’, dhe nuk u arrit që kjo çështje të diskutohet në nivel të lartë në tavolinën e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Që gjashtë vjet, në Bruksel është folur për telekomin, energjetikën, heqjen e barrikadës mbi lumin Iber, e çështje të tjera, por nuk u diskutua për kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.
Familjarët dhe shoqatat që përfaqësojnë familjet e personave të zhdukur, ende po mundohen të mbajnë pak shpresë se do të zgjidhet fati i më të dashurve të tyre.Bajram Qerkinaj, duke folur në emër të familjarëve, thotë se duhet të bëhet më shumë presion në bashkësinë ndërkombëtare.
Por bashkryesuesi i Ekipit të ri Negociator që ka formuar Kosova për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj, po zotohet që nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë, pa u qartësuar çështja e personave të pagjetur.
E Bajram Qerkinaj, i cili tash e gati dy dekada, nuk di asgjë se ku ndodhet djali i tij i zhdukur, tregon se çdo ditë pret që t’i kthehet i biri. Kjo shoqatë mbushet plot me familjarë me sy me lot, të cilët vijnë dhe i rrëfejnë njëri-tjetrit edhe ëndrrat që i kanë parë një natë më herët. Të gjithë me shpresën që ndonjëri ka mësuar ndonjë informacion më shumë për më të dashurit e tyre të zhdukur.
Se sa e vështirë është gjendja e familjarëve, e tregon më së miri rasti i Halil dhe Zylë Ujkani.Në një shtëpi të madhe, jetojnë të vetëm dy pleq që kanë kaluar të 80-at. Ata nuk e dinë a i kanë djemtë gjallë, e dinë vetëm se policia serbe i ka marrë e ka zhdukur ditën e 16 prillit të 99-ës.
Njëri ishte 30 vjeç, dy 19, dhe dy të tjerë nga 15 vjeç.
Zyla Ujkani, e cila vështirë lëvizë nga mosha e shtyrë, tregon se ende ka shpresë. Kjo edhe i shihet në sytë e përlotur. Ata tash kanë mbetur të vetëm, pranvera për ta u ndal në prillin e vitit 1999, dhe bisedat e tyre mbajnë vetëm një temë, atë të djemve të zhdukur.
Behxhet Shala që udhëheq Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se koha e duhur për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka qenë pas përfundimit të luftës.
Sipas tij, në atë kohë do të duhej të tregoheshin lokacionit, meqë sipas tij, koha mund të zbeh zgjidhjen e këtij procesi.Për çështjen e të vrarëve dhe të zhdukurve, ende nuk është zhvilluar ndonjë proces gjyqësor dhe shteti i Serbisë asnjëherë nuk është treguar bashkëpunues në zbardhjen e fatit të tyre. Saranda Bogujevci, deputete në Kuvendin e Kosovës, e cila ka familjarë të zhdukur dhe ishte qëlluar nga forcat serbe, thotë se Kosova nuk do të duhej të hynte në procesin e bisedimeve me Serbinë pa e zgjidhur këtë çështje.Nga përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, pati çdoherë premtime.
U tha se në vazhdimësi po kërkojnë që kjo temë të jetë pjesë e dialogut, por nuk pati rezultate. Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, lidhur me procesin e të pagjeturve, meqë i njëjti kryeson takimet me palën serbe në Bruksel ka thënë shkurt se është njoftuar nga delegacioni shtetëror, se kjo do të jetë pika e parë që do të diskutohet.
E sipas zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, kjo temë do të jetë e veçantë, dhe që pret të arrihet marrëveshje e veçantë për të pagjeturit, që do të inkorporohej në marrëveshjen finale. E familjarët po konsiderojnë që viti 2018 është viti më i varfër në procesin e personave të pagjetur. Thonë se asnjë informatë me shkrim nuk e kanë marrë se deri ku ka shkuar procesi i familjarëve të tyre të zhdukur.