75 Mall Live Search
14:02 / E Martë, 12 Gusht 2025 / Z S

Përurohen masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore sociale në Malishevë

Janë përuruar sot masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore sociale në Komunën e Malishevës. Në ceremoninë e organizuar morën pjesë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Alessandro Bianciardi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, drejtori i Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.

Me parullën “Të kursejmë energjinë për gjeneratat që vijnë” u theksua rëndësia e përmirësimit të kushteve të banimit dhe uljes së shpenzimeve të energjisë për familjet përfituese, duke kontribuar njëkohësisht në mbrojtjen e mjedisit dhe përdorimin më efikas të burimeve energjetike. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se qëllimi i qeverisë është që të ulet konsumi i energjisë në të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Qëllim yni si qeveri ka qenë që të ulim konsumin e energjisë në të gjitha shtresat, edhe te popullata, edhe te bizneset. Gjithashtu kemi qenë të vëmendshëm që intervenimet tona të targetojnë në mënyrë specifike edhe shtresat më të cenueshme të shoqërisë. Projekti që po e përurojmë sot është pikërisht një demonstrim i kësaj se si kemi arritur ti përfshijmë edhe shtresat më të cënueshme të shoqërisë. Investimi që po përurojmë sot është një investim që përfshin izolimin e dyerve, izolimin e mureve, çatisë, dyerve dhe dritareve mirëpo edhe investime të tjera përcjellëse”.

Edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Alessandro Bianciardi, theksoi se me anë të këtij projekti po zhvillohen punime edhe në 28 ndërtesa të tjera.

“Kjo është një nga 28 ndërtesat sociale që janë duke u renovuar nën pakon për mbështetje energjetike dhe është një demonstrim i mirë i efektit të renovimit që nevojiten edhe në ndërtesa të tjera të përbashkëta në Kosovë. Jemi të lumtur që fondi i efiçencës energjetike ka bërë progres të mirë në implementimin e këtij projekti dhe në të gjithë 28 ndërtesat e tjera që po renovohen. Ky investim po financohet 90% nga Bashkimi Evropian dhe 10% kontribut nga komuna.”

Kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, u shpreh falënderues ndaj të gjithë akterëve që ndihmuan në renovimin e kësaj ndërtese dhe tregoi se ky investim ka benefite për qytetarët edhe komunën.

“Sot e gëzojmë një privilegj, sepse sot po bëjmë përurimin e një objekti të kategorive sociale, të popullsisë e cila është shumë në nevojë prandaj të gjithë akterëve që kanë ndikuar që ky projekt të realizohet i falënderoj në emër të gjithë qytetarëve të Malishevës dhe veçanërisht në emër të këtyre banorëve që sot po e gëzojnë këtë investim. Ky investim ka rol shumë të madh sepse rrit cilësinë e jetës të banorëve të kategorisë sociale mirëpo sigurisht edhe e zvogëlon shfrytëzimin e energjisë kështu që për ne janë dy benefite të jashtëzakonshme mirëpo gjithashtu kemi edhe pamjen e cila ndërtesa ka marrë një pamje të mirë”

Ky projekt në Malishevë u realizua në bashkëpunim mes qeverisë, Bashkimit Evropian dhe Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur standardet e efiçiencës së energjisë në vend./Indeksonline/