Përurohen punimet e tri ndërtesave sociale në Skenderaj

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve të tri ndërtesave shumë-banesore sociale në Komunën e Skenderajt.
Përurimi i punimeve është realizuar në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”, ku me një investim prej rreth 693,000 euro, janë realizuar punimet që përfshijnë izolimin e jashtëm, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, termoizolimin e kulmeve, instalimin e sistemit të ri të ngrohjes, vendosjen e interfonisë dhe detektorëve për mbrojtje kundër zjarrit, ku kursimi i energjisë elektrike do të arrijë nga 75 % deri në 85 %.
Projekti implementohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencё tё Energjisë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrjen komunale me 10%.
Rizvanolli theksoi se pas përfundimit të punimeve në këto tri ndërtesa sociale, përfitojnë 100 familje, nga të cilat janë 30 gra – nëna vetushqyese, përfitues të asistencës social edhe familje të dëshmorëve, të cilët do të kenë kushte më të mira për fëmijët dhe familjet e tyre dhe një jetë më të dinjitetshme, por edhe më të sigurt.
“Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë në nivel të vendit, ku tashti më është duke u punuar edhe në 12 komuna të tjera në renovimin e 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej 6 milionë euro”, theksoi Rizvanolli.
Ajo po ashtu shtoi se është shumë e lumtur që pas tri vitesh, prej kur ka filluar dizajnimi i këtij programi, ku ishte kërkesa e qeverisë ndaj Bashkimit Evropian, ndaj të cilës kërkesë Bashkimi Evropian reagoi pozitivisht në mënyrë shumë të shpejtë dhe tani po shihen rezultatet.
Në ceremoni, përveç Rizvanollit morën pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, të cilët u shprehen të lumtur për përfundimin e punimeve dhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.
Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, Qeveria e Kosovës ka mbështetur deri tani:
- 3,000 familje me izolim të shtëpive,
- Mbi 40,000 familje me pajisje eficiente dhe panele solare,
- 125 ndërtesa publike, kryesisht shkolla dhe spitale, janë renovuar për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për qindra mijëra qytetarë.
Këto renovime përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës, të edukimit dhe të shërbimeve shëndetësore për mijëra qytetarë.