75 Mall Live Search
16:24 / E Mërkurë, 02 Prill 2025 / Z S

Përurohet çerdhja “Ganimete Tërbeshi” në Rezinë të Gjakovës, investim afro 759 mijë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot morën pjesë në përurimin e çerdhes “Ganimete Tërbeshi”, në Rezinë të Komunës së Gjakovës.

Çerdhja e re në lagjen Rezinë ka vlerë të investimit prej afro 759 mijë euro, është realizuar brenda 24 muajve dhe ka kapacitet për së paku 120 fëmijë.

“Kjo është çerdhja e katërt në Gjakovë, përveç atyre në Korenicë, Shishman edhe Bishtazhin, por do të ketë edhe një tjetër të adaptuar tek Stacioni i Autobusëve. Kjo çerdhe “Ganimete Tërbeshi” ka sipërfaqen e gjithmbarshme prej 1,552 metra katrorë, kapacitetin për së paku 120 fëmijë dhe përveç se ka kushtuar afro 759 mijë euro, pajisje për çerdhe janë afër 81,600 euro. Investimet totale në Gjakovë gjatë këtij mandati janë mbi 12 milionë euro, apo më saktësisht 12,226,000 euro.” tha kryeministri Kurti 

Po ashtu, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se meqenëse jemi në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, vlen të theksohet se edhe kjo çerdhe, sikurse çdo objekt tjetër në të cilin kemi investuar, i plotëson të gjitha standardet për gjithpërfshirje, duke filluar që nga pjerrinat e qasjet e pakufizuara në hapësirat brenda çerdheve./Indeksonline/