Përurohet dhoma burimore në shkollën “Mitrush Kuteli” në Prishtinë
Në SHFMU “Mitrush Kuteli” në Prishtinë është përuruar dhoma burimore, një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të arsimit gjithëpërfshirës dhe mbështetjes së nxënësve me nevoja të veçanta.
Nga kjo shkollë u bë e ditur se krijimi i këtij ambienti synon të ofrojë mbështetje dhe mundësi më të mira për çdo nxënës, në mënyrë që ata të zhvillojnë potencialin e tyre në një mjedis të përshtatshëm për mësim dhe përparim.
Shkolla ka falënderuar donatorin Halil Kastrati dhe fondacionin “Jetimat e Ballkanit”, Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë, prindërit të cilët e kanë ideuar projektin dhe stafin e shkollës për përkrahjen dhe kontributin në realizimin e këtij projekti.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe zyrtarja nga Divizioni për Arsimin e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta Dijedona Ahmeti, drejtori i DKA-së Samir Shahini, zyrtaret Fatbardha Azizi dhe Albulena Ahmeti, si edhe drejtoresha Drita Dushi me ekipin mobil profesional nga qendra burimore “Përparimi”.
Sipas shkollës, ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një ambienti më gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjithë nxënësit./IndeksOnline/







