14:30 / E Martë, 16 Tetor 2018 / indeksADMonline

Përurohet fillimi i punimeve në ndërtimin e shtratit të Lumit “Klina”

Sot, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kanë përuruar fillimin e punimeve në ndërtimin e shtratit të Lumit “Klina”, tek ura afër Shërbimit të Zjarrfikësve, të një gjatësie prej 530 metra në drejtim të fshatit Llaushë.

Kryetari Jashari ka thënë se është prioritet i qeverisjes lokale në Skenderaj rregullimi i tërësishëm i shtratit të shtratit të lumit tonë të vetëm që kemi.

Këtë segment e ka financuar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila do të vazhdojë të mbështes financiarisht edhe segmente të tjera vitin e ardhshëm deri në fshatin Kuqicë.

“Jam thellësisht i lumtur për realizim të këtij projekti, kjo pasi më nuk do të ketë vërshime nga të cilat më së shumti kanë vuajtur banorët e lagjeve përgjatë shtratit të Lumit “Klina”. Ky është vetëm fillimi i finalizimit të shtratit të lumit në gjithë gjatësinë e tij”, ka thënë kryetari Jashari, sipas të cilit, viti 2019 do të fillojë me investime më të mëdha në projekte në infrastrukturë rrugore, bujqësi, në sistemin e kanalizimit e ujësjellësit, projekte sportive, kulturore dhe fusha të tjera.