13:29 / E Premte, 05 Korrik 2019 / indeksADMonline

Përurohet “MediaLab-i”, donacion i SHBA’së për Departamentin e Gazetarisë

Prej sot studentët e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës do të kenë mundësi të përdorin teknologjinë më të re të kamerave, regjisë, montazhit dhe regjistrimit të zërit.
Kjo për shkak se sot është përuruar MediaLabi, një projekt i mbështetur financiarisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Zyrtari i Ambasadës së SHBA’së në Kosovë, Raymond Welch ka thënë se e kanë përkrahur këtë projekt për t’ju ndihmuar studentëve dhe profesorëve të Departamentit të Gazetarisë për t’i aftësuar studentët të dalin edhe më të përgatitur për tregun e punës. Ka premtuar se përkrahja amerikane për Universitetin e Prishtinës përkatësisht për Departamentin e Gazetarisë do të vazhdojë edhe me projekte dhe bashkëpunime tjera.

“Ky investim është jetik për t’i aftësuar studentët në profesionin e gazetarisë”, ka thënë Welch.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, Marjan Dema, ka thënë se projekti i mbështetur nga amerikanët do të jetë ndihmesë jo vetëm për Departamentin e Gazetarisë por për gjithë universitetin.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka thënë se me promovimin e këtij laboratori studentët që do të regjistrohen në vitin e ri akademik do të kenë kushtet me të mira për ushtrimin e profesionit të tyre.

“Bashkëpunimi me Ambasadën e SHBA’së do të vazhdojë edhe në projekte të tjera”, ka thënë Rugova.

Profesoresha e gazetarisë, Remzie Shahini-Hoxhaj, ka thënë se ideja e MediaLab-it ka lindur në vitin 2015 kur një grup i profesorëve ishin në një vizitë studimore në Arizona State University. Ajo ka thënë se posa ishin kthyer në Kosovë e kishin shkruar projektin dhe e kishin dërguar në adresën e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

“Jemi të lumtur që sot ky projekt u realizuar”, ka thënë Remzie Shahini-Hoxhaj.

Udhëheqës i projektit ka qenë profesori i gazetarisë, Alban Zeneli.

Departamenti i Gazetarisë është themeluar më 2005 në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Ofron studimet themelore dhe master. Sivjet Departamenti i Gazetarisë në nivelin Bachelor do të pranojë 125 studentë si dhe 18 studentë tjerë do të pranohen nga komunitetet joshumicë. 3 do të pranohen nga Lugina e Preshevës, 3 nga Shqipëria dhe Maqedonia ndërsa 1 nga Mali i Zi. Bazuar në konkursin e shpallur nga Universiteti i Prishtinës kandidatët duhet t’i nënshtrohen testimit me shkrim në gjuhë shqipe, letërsi shqipe, qytetërim shqiptar, qytetërim botëror dhe ese.