11:35 / E Martë, 10 Tetor 2017 / indeksADMonline

Përurohet shtatorja e re e dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së re të dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, në Junik.

Në fjalën e tij, kreu i Kuvendit tha se vendosja e kësaj shtatoreje të re në qendër të Junikut, është nderim për figurën e ndritur të heroit Edmond Hoxha, por, njëkohësisht, është edhe një mesazh reflektimi që të kihet kujdes në mënyrën se si i nderohen heronjtë.

“Kur isha herën e fundit në vizitë zyrtare në Junik u preka nga cilësia e dobët e shtatores. Bashkëbisedova me miq, artistë e bashkëluftëtarë dhe vendosëm ta ndërtojmë një shtatore të re për heroin tonë Edmond Hoxha. Jam i lumtur që ky premtim u realizua shpejt”, theksoi Veseli.

Veseli tha se vendosja e shtatores së Edmondit në qendër të Junikut, njërit prej luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, ka domethënie të shumëfishtë.

“Ne nderojmë veprën e tij në shërbim të atdheut dhe njëkohësisht edhe traditën e madhe patriotike të Junikut. Ishte pikërisht kjo traditë që frymëzoi Edmond Hoxhën, prandaj ai nuk është një hero i rastit”, tha Veseli./AktivPress