75 Mall Live Search
13:20 / E Premte, 27 Qershor 2025 / H F

“Përvëlim” dhe përmbytje/ Mot ekstrem në Europë, temperaturat arrijnë 40 gradë në hije, Parisi regjistron viktima nga përmbytjet

Temperaturat e larta kanë prekur një pjesë të Evropës Jugore këtë javë, ndërsa agjencia shtetërore meteorologjike e Spanjës ka parashikuar zgjatjen e valës së të nxehtit edhe në ditët në vijim me temperatura që shkojnë mbi 40 gradë Celsius.

Vala e të nxehtit ka përfshirë gjithashtu Portugalinë, vendet e Ballkanit ndërsa Franca pas disa ditëve të nxehta po përjeton përmbytje.

Një stuhi e dhunshme goditi vendin të mërkurën, shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta shkaktuan kaos në rrugë.

Pamjet filmike treguan vija rrufesh që i jepnin qiellit mbi Paris një nuancë të verdhë të çuditshme, në total raportohet të jenë shkrepur 39 mijë rrufe në të gjithë vendin. Stacionet e metrosë dhe disa rrugë në kryeqytet mbetën nën ujë për shkak të shiut të rrëmbyeshme.

Autoritetet raportuan për 2 viktima dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Një fëmijë 12-vjeçar u vra nga një pemë që ra në Francën jugperëndimore, ndërsa një burrë në veriperëndim vdiq pasi motori i tij me katër rrota u përplas me një pemë të rrëzuar.

Sipas agjencisë franceze të mbrojtjes civile 110,000 shtëpi mbetën pa energji elektrike. Reshjet e dendura shkaktuan rrjedhje edhe në çatinë e ndërtesës së Asamblesë Kombëtare.

Ndryshimet klimatike, me periudha të nxehtësisë ekstreme, por edhe përkeqësimet e menjëhershme të motit, paralajmërojnë shkencëtaret rrezikojnë të bëhen më të gjata, më të shpeshta dhe më intensive.