Përvjetori i rënies së 67 dëshmorëve të Brigades 121 Kumanova, përmes fotografive (Foto)
Sot janë bërë 20 vjet nga rënia në fushën e bejtes së luftëtarit të UÇK-së, Ismet Jashari- Komandant Kumanova. Me rastin përvjetorit të rënies të 67-të dëshmorëve të kombit, në krye me komandantin Kumanova, në Kleçkë është mbajtur manifestim qendror.
Në këtë vit jubilar, për të nderuar sakrificën e brigades “121 Kumanova”, ishin figura të shquara të vendit tonë, transmeton Indeksonline.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ushtarët e brigadës 121 ishin në një udhëkryq ku përfundimisht do të përcaktohej e ardhmja e luftës së tyre në këto zona dhe e familjarëve të tyre që kishin gjetur strehim në gryka, raporton Indeksonline.
“Ne kishim marr një goditje të jashtëzakonshme, shumë të rëndë para 20 vitesh, ishim para opsionit që nga kjo goditje të gjunjëzohemi apo ta kthejmë në forcë. Ishte një moment që UCK në këtë zonë të rimobilizohej për të vazhduar rrugën e shokëve tanë apo të zhdukej dhe të ndërpritej ëndrra për çlirim. Nëse do të ndaleshim do të tradhtonim gjakun e atyre që ne i humbëm. Nëse do të ndaleshim, forcat serbe do të futeshin në këto zona dhe do të masakronin familjarët tanë e popullin që ishte strehuar. Pas kësaj goditje e dy dilemave, ne vendosëm që dhimbjen që na u shkaktua me vrasjen e Komandant Kumanovës e shumë të tjerëve, ta kthejmë në kujtim për veprat e tyre që do të na shërbenim të vazhdonim fuqishëm luftën ku e lanë ata.”, ka thënë Limaj gjatë fjalimit të tij.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se shteti është ngritur me gjakun e dëshmorëve dhe mbi 12 qytetarëve të moshave të ndryshme, raporton Indeksonline.
Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim që gurthemelet e lirisë së vendit janë dëshmorët e martirët e kombit.
“Duke iu falënderuar luftës së pakomproimis të UCK-së, ndërhyrjes ndërkombëtare e sidomos perëndimit me NATO-n, Kosova u çlirua dhe shteti i pavarur i Kosovës u themelua me 17 shkurt 2008. Falënderoj me zemër e me mendje të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuuan për lirinë e shtetin tonë, nga anë të ndryshme të hapësirës kombëtare dhe të botës demokratike”, ka thënë Krasniqi.
Djemtë që prehen në kompleksin memorial të dëshmorëve në Kleçkë, 20 vite më parë vunë trupat e tyre në mbrojtje të mbi 85 mijë qytetarëve të cilët ishin strehuar në këtë zonë.